“Koha, rinia dhe morali në peshoren e Islamit” – Tribunë fetare me vlerë të madhe

“Koha, rinia dhe morali në peshoren e Islamit” – Tribunë fetare me vlerë të madhe

“Koha, rinia dhe morali në peshoren e Islamit” – Tribunë fetare me vlerë të madhe

Pasditen e xhuma, më 15 gusht 2025, në oborrin e xhamisë së Parrucës, Myftinia Shkodër organizoi tribunën fetare me temë: “Koha, rinia dhe morali në peshoren e Islamit”, ku ligjëruan studentë të Universitetit Islam të Medinës së Ndriçuar.

Aktivitetin e hapi teologu Lavdrim Hamja, i cili pasi uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe uroi ligjëruesit të kenë mbarësi, bëri një përshkrim të shkurtër për rëndësinë e madhe që kanë këto tre përbërës në jetën e njeriut, sidomos për besimtarin: Koha, rinia dhe morali.

Pastaj, fjalën e mori studenti Idriz Hykaj, i cili foli mbi rolin e rinisë në zhvillimin e shoqërisë, duke theksuar se të rinjtë janë pasuria më e madhe e një ymeti dhe se Islami i kushton rëndësi të veçantë edukimit dhe formimit të tyre me vlera të shëndosha morale e shpirtërore, duke sjellë shembuj nga jeta e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe jeta e sahabëve të rinj.

Më pas, studenti Hfz. Abdurrahman Begaj trajtoi temën e kohës, duke nënvizuar se ajo është një dhuratë e çmuar nga Allahu dhe se besimtari duhet ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë, për adhurim, dije dhe vepra të dobishme, duke mos e shpërdoruar me gjëra të kota.

Në vijim, studenti tjetër, Hfz. Dritan Bajraktari ligjëroi mbi moralin në Islam, duke theksuar se morali i mirë është shenja dalluese e besimtarit të sinqertë dhe se Profeti Muhammed (a.s) është shembulli më i lartë në këtë aspekt. Ai bëri thirrje për përhapjen e sjelljeve të mira dhe për ruajtjen e harmonisë në familje e shoqëri dhe kudo që ndodhemi.

Në fund të këtij aktiviteti, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, përshëndeti pjesëmarrësit, duke falënderuar studentët e nderuar për mesazhet e tyre me vlerë dhe besimtarët për interesimin e treguar. Ai theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të aktiviteteve të tilla, që forcojnë lidhjen me fenë dhe rrisin vetëdijen fetare e shoqërore, si dhe ruajnë dhe mbajnë të gjallë tabanin dhe traditën islame të kërkimit të dijes dhe përhapjes së saj.