Nis trajnimi i haxhilerëve shkodranë të vitit 2024
Paraditën e së hënës, më 3 qershor 2024, Myftinia Shkodër, nisi trajnimin e haxhilerëve të saj për vitin 1445 h.
Në ligjëratën e parë të këtij programi disaditor, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, bëri një përmbledhje të madhështisë dhe vlerave të Haxhit, si një adhurim, që, siç tha: “i veshë haxhilerët me të bardha, për t’u kthyer të bardhë pa gjynahe”, në përditshmërinë e tyre.
Imami Anis Agovi, iu drejtua haxhilerëve me disa këshilla dhe udhëzime që nevojiten për secilin, si një manual i domosdoshëm gjatë udhëtimit të jetës.
Haxhilerëve iu drejtuan edhe H. Lavdrim Hamja dhe murshidi i tyre i këtij viti, H. Altin Nikshiqi, që shpjeguan edhe detaje me vlerë të këtij programi në shërbim të haxhilerëve tanë.
Ditën e nesërme dhe në vijim, haxhilerët do të mësojnë hap pas hapi, çdo detaj të adhurimit të Haxhit, sikurse do të kenë mundësinë të drejtojnë pyetjet e tyre për të marrë përgjigjet dhe sqarimet e duhura.