Ceremonia e mbylljes së kursit veror “Buz’qesh” 2024
Në Xhaminë “Ebu Bekër”, për gjatë dy javëve u zhvillua kursi veror intensiv Buz’qesh” 2024 me pjesëmarrjen e mbi 85 fëmijëve të moshave të ndryshme.
Ashtu si vitin e kaluar Myftinia Shkodër, përmes sektorit të arsimit arriti që edhe këtë vit të gërshetoi me sukses edukimin islam me argëtimin.
Qëllimi kryesor i këtij kursi veror intensiv, krahas argëtimit të fëmijëve ishte kombinimi i përsosur mes mësimit dhe argëtimit, duke siguruar një eksperiencë të paharrueshme për ta. Ai u përqendrua në edukimin e fëmijëve tanë me duatë e përditshme të muslimanit.
Si përherë, gjatë këtyre dy javëve nuk munguan veprimtaritë krijuese vetjake dhe në grup, si dhe lojërat zbavitëse psiko-motorike të shumëllojshme si dhe ekskursione.
Në ceremoninë e mbylljes, më 28 qershor 2024, teologu Arben Halluni, drejtues i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër ka falënderuar fillimisht pjesëmarrjen e rregullt të fëmijëve, prindërit e tyre dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e teologes znj. Zamira Bushati, psikologen znj. Almeda Tusha dhe asistentet vullnetare të cilat ndihmuan në realizimin e këtij aktiviteti të dobishëm arsimor, edukativ dhe argëtues. Për këtë bashkëpunim të vyer të tyre Myftinia Shkodër iu dha nga një certifikatë mirënjohjeje, ndërsa fëmijëve pjesëmarrës nga një dhuratë simbolike.