Me ftesë të Shoqatës “Në familje për familjen”, ditën e hënë, më 18 janar 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka referuar mbi familjen dhe nevojën e mbrojtjes së saj, në konferencën e organizuar nga shoqata në fjalë, në bashkëpunim me Komitetin Shtetëror për Kultet dhe Ambasadën e Kanadasë në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu vuri theksin te vlera e familjes në Islam, te respekti dhe përkujdesja e Islamit për femrën dhe fëmijën dhe domosdoshmëria e madhe e mbrojtjes së familjes në këtë kohë, kur komplote të shumta po cenojnë familjen muslimane dhe atë qytetare shqiptare.
Ndër të tjera, Myftiu tha se: “Sot, shpesh ndodh të përballemi me kështjella luksoze, në brendësinë e të cilave ka familje të shkatërruara! Shtëpi në kulmin e luksit, ku djali nuk flet me babën, e vajza nuk pyet më për nënën! Shkatërrim, si ai me të cilin përballemi ditë pas dite, kur dëgjojmë se djali vrau babën, vajza u largua nga shtëpia me të dashurin, rritja e numrit të aborteve, nxitja e rinisë drejt alternativave imorale, që shpesh nxiten edhe nga institucionet tona, si rasti i festës së shkumës, para Bashkisë, Ramazanin që kaloi, a kolibet e alkoolit para xhamisë “Ebu Bekër”, këtë dhjetor që lamë pas! Të gjitha këto, e shumë më shumë se kaq, janë pjesë e një komploti të madh që i bëhet familjes së sotme muslimane shqiptare! Jo vetëm kaq, por, krejt familjes tradicionale qytetare me traditat shekullore të besimit, nderit, pastërtisë dhe moralit!”
Në këtë konferencë referuan edhe drejtuesit e dy kishave kryesore të Shkodrës, znj. Greta Bardeli, Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër dhe znj. Zenepe Dibra, Kryetare e Shoqatës së Grave Intelektuale të Shkodrës.
Konferenca në fjalë u zhvillua në ambientet e bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, në prani të shumë studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës.