Salahudin Ejubi: “Kujdes nga derdhja e gjakut, sepse gjaku nuk fle!”
Si sot, më 2 tetor 1187, Salahudin Ejubi hyri në qytetin e Kudsit Sherif triumfator, duke lajmëruar fundin e 88 viteve pushtim të kryqëzatave…
Ai hyri në Jeruzalem dhe tregoi një falje dhe tolerancë të tillë ndaj banorëve të qytetit, saqë historianët, si myslimanë ashtu edhe jo-myslimanë, e përmendin atë me lëvdata dhe lavdërime të mëdha. Salahudini i lejoi kryqtarët të largoheshin nga qyteti pasi paguan një xhizje (taksë) të moderuar prej dhjetë dinarësh për burrat, pesë për gratë dhe dy dinarë për fëmijët.
Madje, ai pagoi nga paratë e veta për të liruar disa prej armiqve të tij, që nuk kishin mundësi të paguanin xhizjen. Gjithashtu, tregohet se Salahudini nuk lejoi të shkatërrohen kishat, por i la ato ashtu siç ishin dhe gjithashtu lejoi që hebrenjtë të ktheheshin në qytetin e shenjtë pasi ishin dëbuar nga kryqtarët.
Në të vërtetë, sjellja tolerante dhe burrëria e Salahudinit është në kontrast të fortë me ato mizori që kryqtarët kryen kur morën Jeruzalemin në vitin 1099, kur kryqtarët u hodhën në rrugët e qytetit dhe në xhami duke vrarë këdo që gjenin, burra, gra dhe fëmijë. Këta kryqtarë vranë mijëra myslimanë të pafajshëm pa ndonjë arsye. Historiani William Tyre përmend se Jeruzalemi përjetoi një masakër të tmerrshme kur hynë kryqtarët, saqë qyteti u mbulua me një det të gjerë gjaku të myslimanëve.
Salahudini ishte një komandant ushtarak në Mesjetë, i mësuar me pamjet e të vrarëve dhe të plagosurve, por ai e urrente derdhjen e gjakut. Ne kemi një dokument ku ai i jep këshilla njërit prej djemve të tij, duke i thënë: “Kujdes nga derdhja e gjakut, sepse gjaku nuk fle”.
Kjo është një dëshmi e qartë se kemi të bëjmë me një person që përshkruhet si i mëshirshëm dhe i civilizuar në një epokë që përshkruhet si e përgjakshme!