Myftiu i Shkodrës: “16 Nëntori i 1990 ishte  thirrje drejt besimit, lirisë, vëllazërimit, paqes dhe harmonisë me të gjithë!”

Myftiu i Shkodrës: “16 Nëntori i 1990 ishte thirrje drejt besimit, lirisë, vëllazërimit, paqes dhe harmonisë me të gjithë"

Myftiu i Shkodrës: “16 Nëntori i 1990 ishte  thirrje drejt besimit, lirisë, vëllazërimit, paqes dhe harmonisë me të gjithë!”

Ditën e xhuma, më 15.11.2024, nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, gjatë hytbes së xhumasë ka dhënë mesazhe të rëndësishme për një datë të madhe historike në Shqipëri, atë të rikthimit të lirisë së besimit në vendin tonë dhe rihapjes së xhamisë së Plumbit, pikërisht më 16 Nëntor 1990.

“34 vite më parë, më 16 Nëntor të 1990-s, një qytet i tërë, vetëdija e këtij qyteti, e këtij kombi, pa numra, pa cilësime e pa etiketime, u mblodhën rreth kalasë, atje tek xhamia e Plumbit që i kishte mbijetuar çmendurisë komuniste.

Ata u mblodhën për të dëgjuar atë hoxhë të drobitur nga burgjet e komunizmit, i cili thërriste sërish me emrin e Allahut në gojë, se kjo fé do triumfojë dhe nuk ka diktaturë e nuk ka forcë në botë që e pengon zhvillimin e kësaj drite të pashuar të fesë islame. Një qytet i tërë u ngrit në këmbë për t’u çliruar nga vargonjtë dhe nga zinxhirët që kishin në qafë, në duar e në këmbë, me dëshirën për t’iu përgjigjur vullnetit të thirrjes së Allahut për të jetuar të lirë!”

Më tej. Myftiu Sytari tha se; 16 Nëntori i 1990 ishte thirrje drejt besimit, lirisë, vëllazërimit, paqes dhe harmonisë me të gjithë.

“16 Nëntori i 1990 dhe xhamia e Plumbit. Një ditë dhe një vend. Një frymë dhe një shpirt. Një thirrje e vetme: ajo e besimit, e lirisë, e vëllazërisë, e harmonisë, e paqes sociale dhe e vullnetit për të ndërtuar vendin mbi bazën e dashurisë për Zotin dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

A jemi sot pas 34 viteve ne, Shkodra dhe Shqipëria në këto shina? Nëse po, ky është një bekim i madh nga Zoti. E nëse jo, ky është një krim i madh që i kemi bërë vetes duke besuar te njerëzit e gabuar dhe duke shkuar pas thirrjeve dekadente të maskuar me matricën e përparimtares!”

Po ashtu Myftiu i Shkodrës tha se kjo datë është moment reflektimi, kujtese dhe vlerësimi e nderimi për të gjithë nismëtarët dhe rininë tonë islame.