Këndime Kur’ani dhe Salavate në të gjitha xhamitë e Shkodrës në përkujtim të datës 16 Nëntor 1990 – Dita e Rikthimit të Lirisë së Besimit
Para drekën e ditës së shtunë, më 16.11.2024, në kuadër të përkujtimit të datës historike të 16 nëtorit 1990, Myftinia Shkodër organizoi momente kujtese, nderimi dhe reflektimi përmes këndimit të pjesëve të Kur’anit Famëlartë dhe salavateve në të gjitha xhamitë e qytetit dhe të fshatrave.
Teolgu Arben Halluni në emër të Myftinisë Shkodër u shpreh para mediave se: “Data 16 nëntori 1990 është një ngjarje e madhe historike dhe shumë kuptimplotë. Sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë merr vlerë, kujtesë dhe reflektim për të shënuar një të ardhme më të fortë dhe më të ndritshme në të gjitha aspektet, sidomos në atë të besimit, adhurimit dhe moralit”.
Pikërisht për këtë ngjarje madhështore që duhet të shënohet me germa të arta, – tha teologu Halluni, duhet që në këto momente të kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që morën pjesë në atë miting të madh të rihapjes së xhamisë së Plumbit, kryesisht nismëtarët dhe veçanërisht simbolin e saj ditë historike, Hafiz Sabri Koçin.
Zoti e bëftë që jehona e kësaj dite të madhe historike të përjetohet akoma edhe sot pas 34 viteve liri besimi.