Myftiu Sytari viziton At Aleksandër Petanin
Paraditen e së mërkurës, më 20 nëntor 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari i shoqëruar nga teologu Arben Halluni zhvilloi një vizitë në shtëpinë e At Aleksandër Petanit, Kreu i Kishës Ortodokse Shkodër.
Kjo vizitë e Myftiut vjen si interesim për shëndetin e At Aleksandër Petanit pas një lëngate kalimtare, që ai kaloi këto ditë.
Myftiu u lut për shëndetin e prijësit të Kishës Ortodokse Shkodër duke vlerësuar personalitetin e tij dhe kontributet e vyera ndër vite për ruajtjen e frymës së harmonisë dhe përhapjen e mesazheve të ekuilibruara në dobi të qytetarëve dhe besimtarëve në Shkodër dhe përtej.
Nga ana e tij, At Aleksandër Petani shprehu gëzimin e madh për këtë vizitë të Myftiut të Shkodrës, që e vlerësoi si një mirësi të madhe dhe një moment që dëshmon më së miri raportet e mira dhe vëllazërore në mesin e dy institucioneve në Shkodër.
At Aleksandër Petani dhe Imam Muhamed B. Sytari ndan bashkërisht momente të paharruara nga kujtimet e aktiviteteve të përbashkëta ndër vite, si dhe kontributin e përbashkët në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore dhe përhapjen e frymës së vëllazërisë kombëtare në mesin e besimtarëve dhe qytetarëve mbarë.