Në Qendrën Kulturore, Oblikë hapen kurset dimërore
Ditën e hënë, më 23 dhjetor 2024 në Qendrën Kulturore pranë xhamisë Oblikë kanë nisur kurset dimëror 2024, me pjesëmarrësit e rreth 50 nxënësve (djem dhe vajza) të moshave të ndryshme, të ndarë në tre grupe.
Krahas mësim besimit dhe edukimit që do të zhvillohen në këtë qendër me fëmijët e kurseve do të ketë edhe aktivitete zbavitëse, ekskursione dhe lojëra argëtuese, përmes së cilave nxënësit do të kalojnë momente dhe çaste të gëzueshme.
Ambientet brenda dhe jashtë qendrës mundësojnë hapësirë të gjerë dhe një larmi aktivitetesh dhe veprimtarish sportive të ndryshme.
Në hapjen e kësaj shkolle intensive, që organizohet nga sektori i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, mori pjesë drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni, i cili gjatë bisedës me nxënësit i inkurajoi dhe u premtoi se të tjera veprimtari arsimore dhe argëtuese do të zhvillohen në të ardhmen me fëmijë dhe të rinj e mejtepeve të zonës së Ana e Malit, që përfshihen Oblika, Xhaferaj, Velinaj, Alimetaj, Shtuf dhe Muriqan.
Teologu Halluni dha edhe disa këshilla të dobishme për fëmijët, që do jenë pjesë e këtij aktiviteti.
Ai falënderoi mësuesen e kësaj Qendre, znj. Kimete Elezi, për përkushtimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në realizmin e aktiviteteve arsimore dhe kulturore në këtë vatër të moralit dhe të dijes islame.