Në xhamitë e Shkodrës bëhet thirrje për Haxhin 1446/2025
Hytbeja e xhumasë, më 20 dhjetor 2024, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u fokusua te vlerat, dobitë dhe mirësitë e Haxhit, si adhurim me rëndësi si dhe një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame. Në xhamitë e ndryshme të qytetit dhe të fshatit, imamët bënë thirrje besimtarëve që të shfrytëzojnë pasurinë, shëndetin dhe kohën për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar për kryerjen e Haxhit.
Nga xhamia e “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari solli në vëmendje të besimtarëve periudha të ndryshme të historisë kur Haxhi ishte ndaluar për arsye dhe shkaqe nga më të ndryshme, të cilat i bëri të ditura për besimtarët.
Myftiu tha, se: “Kur kthejmë kokën pas dhe shohim se përgjatë shekujve Haxhi është ndaluar disa herë, dhe kur shohim se edhe afër kohës sonë, para pak vitesh, për shkak të pandemisë globale koronavirusit, Haxhi u ndalua, kuptojmë se sa me rëndësi është shfrytëzimi i kohës dhe i mundësive për kryerjen e Haxhit në momentin dhe kohën e duhur pa neglizhuar mundësinë e kryerjes së tij.
Secili që e kanë mundësinë shëndetësore, ekonomike, sigurinë e përgjithshme, por jo vetëm, dhe që e ndjen se duhet ta kryejë Haxhin si një borxh dhe një kusht prej kushteve themelore të fesë islame, mos të neglizhojë dhe mos ta lërë për një kohë më pas, sepse ne nuk e dimë se çfarë ndodh më pas.
Në këtë kontekst, të gjithë ata vëllezër dhe motra që janë regjistruar deri më sot dhe ata që e kanë bërë nijet për t’u regjistruar, le të vrapojnë për të hyrë në mesin e besimtarëve që i janë përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar për kryerjen e këtij adhurimi të veçantë, për vlerat dhe dobitë e të cilit flasin sa e sa ajete kur’anore dhe hadithe të shumta të Pejgamberit (a.s)”.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu përmendi gjithashtu edhe një ndër detajet thelbësore të Haxhit, që është edhe dita e Arefatit, iu vuri në dukje disa hadithe, të cilat dëshmojnë për madhështinë e asaj dite, për mëshirën dhe faljen, që Allahu i Madhëruar shpërndan për mbi besimtarët, sidomos në fushën e Arefatit, por edhe për besimtarët e tjerë jashtë atij vendi të bekuar.
Myftinia Shkodër fton të gjithë besimtarët e interesuar që të shpejtojnë për regjistrimet e këtij viti, të cilat përfundojnë më datën 13 janar 2025.