Radio “Fatih” në Mal të Zi, bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës

Radio Fatih në Mal të Zi, bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës

Radio “Fatih” në Mal të Zi, bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës

Paraditen e së mërkurës, më 22 janar 2025, Myftiu i Shkodrës priti në zyrën e tij përgjegjësin e Radio “Fatih” në Podgoricë të Malit të Zi, Enis ef. Hoxha. Shkak i kësaj vizite ishte dëshira e shfaqur nga Radio “Fatih” për të zhvilluar një bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari me rastin e muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Në përgjigje të pyetjeve të z. Hoxha, Myftiu Sytari vuri theksin te rëndësia e madhe që muaji i madhërueshëm i Ramazanit, të cilin e krahasoi me stinën e pranverës, që të gjithë e presim me padurim; stinë në të cilën ripërtërihet jeta, gjallërohet natyra dhe të gjithë gëzohemi me mirësitë dhe flladet bekuese të saj.

Myftiu tha se, muaji i madhërueshëm i Ramazanit është mundësia më e mirë që besimtarët të rigjejnë ekuilibrat e vetvetes dhe të përsosin marrëdhënien e tyre me Zotin e gjithësisë duke u kujdesur për përsosmërinë e namazit, e agjërimit, leximit të Kur’anit, sadakasë dhe veprave të mira pa përjashtim.

Myftiu Sytari vuri theksin gjithashtu te domosdoshmëria e ruajtjes së ekuilibrave të muslimanit me Kur’anin Famëlartë, si libri i vetëm, garancia e të cilit nuk ka afat skadence. Ai tha se, Zoti i gjithësisë e ka garantuar këtë libër deri në ditën e fundit, që do të thotë se njerëzimi e ka përherë një zgjidhje dhe një alternativë të shëndoshë për të korrigjuar veten dhe për të gjetur shërim për lëngatat dhe sëmundjet e ndryshme me të cilat përballet në jetën e tij. Ai tha se, njeriu i sotëm më shumë se kurrë ka nevojë të kthehet nga Kur’ani dhe të marrë dritën e udhëzimit të Zotit të gjithësisë nëpërmjet sureve dhe ajeteve të shumta të tij.

Myftiu i Shkodrës bëri një krahasim, ku tha se, vitin e kaluar dëgjuam për djegien e Kur’anit në një prej vendeve të qytetëruara të Evropës. Ai tha se, muslimani që e lexon Kur’anin sot, por nuk i nënshtrohet porosive dhe urdhëresave hyjnore dhe që thyen urdhëresat e Zotit, që neglizhon porositë e Tij, që nuk merr në konsideratë fjalën e Zotit dhe vepron të kundërtën e saj, në fakt po bën një veprim më të rëndë se sa djegien fizike të librit të Zotit.

Myftiu i Shkodrës uroi të gjithë besimtarët muslimanë në Mal të Zi, në Ballkan dhe në mbarë botën për një Ramazan të mbarë dhe të mbushur me bekime dhe mirësi.