Myftiu i Shkodrës priti drejtorin e Fondacionit “Mirësia”
Ditën e mërkurë, më 22 janar 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim pune drejtorin e Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja.
Gjatë takimit të përzemërt Myftiu falënderoi bashkëpunimin e gjatë, që Myftinia Shkodër ka me Fondacionin “Mirësia”, ku theksoi se falë këtij bashkëpunimi është realizuar ndërtimi i disa xhamive dhe qendrave kulturore, që i shërbejnë më së miri gjallërimit të aktivitetit fetar dhe kulturor islam në qytetin e Shkodrës.
Myftiu tha se, ndërtimi i shumë xhamive në fshatra të zonave të ndryshme dhe i qendrave kulturore është një shtysë më shumë për besimtarët, dhe rininë në veçanti, që të jenë frekuentues të rregullt të xhamive dhe ndjekës të etur të aktiviteteve të ndryshme, që zhvillohen në këto qendra kulturore.
Nga ana e tij, drejtori i Fondacionit “Mirësia” z. Kaja, falënderoi Myftiun Sytari për gatishmërinë e tij të përhershme për të gjetur urat e komunikimit dhe për të shtuar bashkëpunimin me Fondacionin “Mirësia”, dhe theksoi se projektet e shumta, që ky Fondacion ka në Shkodër dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, projekte që mbështeten nga Shteti i Kuvajtit, por edhe nga vende të tjera të Gadishullit Arabik, por jo vetëm, janë dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer Thirrjes Islame dhe besimtarëve kudo që janë.
Në këtë takim u diskutua edhe për inaugurimin e afërt të një prej Qendrave Kulturore në qytetin e Shkodrës, si dhe u diskutua për fillimin e punimeve për ndërtimin e dy objekteve të reja që i shërbejnë interesave të Myftinisë së Shkodrës.