Myftiu Sytari priti në një takim pune Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci
Paraditen e së mërkurës, më 22 janar 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim pune kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci.
Gjatë këtij takimi u diskutua në detaje edhe për projektin e rehabilitimit të zonës së Zdrales dhe në veçanti pjesës së xhamisë së Parrucës. Myftiu Sytari dhe Kryetari i Bashkisë Beci panë dhe inspektuan në terren edhe zonën ku pritet të bëhen ndërhyrjet për të cilat u diskutua me detaje.
Myftiu theksoi se, viti 2025 është edhe viti i 35 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit, me ç’rast theksoi se ky vit jubilar do të shënojë një sërë aktivitetesh, ku në qendër të tyre është edhe inaugurimi i xhamisë së Plumbit, tashmë e rehabilituar, e rikonstruktuar dhe e mbrojtur nga përmbytjet, falë investimit madhor të qeverisë turke dhe premtimit të mbajtur të Presidentit të Turkisë, Z. Rexhep Tajib Erdogan.
Ai theksoi njëkohësisht se, shtëpia e familjes Myftia, një shtëpi e vjetër muslimane shkodrane, duhet të jetë pjesë e kompleksit të restaurimeve që po zhvillohen në atë zonë. Myftiu tha se, i mjafton nder Myftinisë së Shkodrës, por edhe mbarë qytetit, që shtëpia e Myftiejve është vendi ku ka jetuar personaliteti i shquar dhe dijetari i madh islam shqiptar, Jusuf ef. Tabaku. Poashtu në atë shtëpi ka jetuar edhe Hfz. Esat Myftia, kryetari i fundit i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, para periudhës së errët komuniste.
Bashkëbisedimi i Myftiut dhe i Kryetari të Bashkisë u ndal edhe te disa çështje të tjera me rëndësi dhe interes të përbashkët për të dy institucionet.