“Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit”, në xhaminë e Vukatanës

Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit, në xhaminë e Vukatanës

“Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit”, në xhaminë e Vukatanës

Ditën e enjte, më 23 janar 2025, në vazhdën e ciklit të ligjëratave “Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit”, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Shkodrës ligjëroi në xhaminë e fshatit Vukatanë.

Pas faljes së namazit të akshamit, që u drejtua nga imami i xhamisë së Barbullushit, H. Ervis Molla, fjalën e hapjes e mbajti i imami i xhamisë Vukatanë, H. Vullnet Pishtari, i cili pasi i uroi mirëseardhjen Myftiut të Shkodrës, imamëve të pranishëm dhe xhematit të shumtë në numër, theksoi se tubime të tilla e gjallërojnë jetën fetare në xhamitë tona.

Më pas fjalën e mori Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shprehu emocionet dhe kënaqësinë e tij për praninë në fshatin Vukatanë, ku theksoi se kjo tokë është vendi i paraardhësve të dijetarit të madh e të shquar islam me famë botërore, hoxhës tonë, Shejkh Shuajb Arnauti.

Myftiu gjithashtu u lut për shpirtrat e hoxhallarëve të shumtë, që përgjatë shekujve kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në shërbim të besimtarëve dhe komunitetit në Vukatanë, por jo vetëm.

Më pas, në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës u ndal te tefsiri i ajetit 25 i sures Junus, ku hodhi dritë rreth detajeve të këtij ajeti në të cilin Zoti i gjithësisë, Allahu (a.xh) urdhëron e thotë: “Allahu ju fto drejt Darus-Selam dhe udhëzon kë të dojë drejt rrugës së Tij të drejtë!”

Nëpërmjet shembujve të ndryshëm, krahasimeve dhe pyetjeve drejtuar të pranishmëve, Myftiu hodhi dritë rreth thelbit të këtij ajeti kur’anor, ku vuri theksin te domosdoshmëria e angazhimit të besimtarëve me thirrjen e Allahut (a.xh) në Kur’anin Famëlartë dhe mësimet e shumta nëpërmjet të cilave njeriu udhëzohet për të qenë mëkëmbës i Zotit në tokë.

Myftiu theksoi se, ai njeri i cili sakrifikon xhenetin dhe shpërblimet e panumërta në jetën e përtejme për interesat e ngushta dhe kalimtare të kësaj bote të përkohshme dëshmon se nuk e ka kuptuar qëllimin e jetës, as ka punuar për të ardhmen e tij.

Në fund të kësaj mbrëmje të begatë për të pranishmit ishte përgatitur një koktejl, që u shoqërua edhe me pyetje-përgjigje, urime dhe me bashkëbisedime të ngrohta në mesin e vëllezërve.