Paraditën e së shtunës, më 24 dhjetor 2016, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e librit “Minber…” (50 hytbe xhumaje), nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Promovimi u përshëndet H. Gazmend Aga, Nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili vlerësoi librin “Minber…”, si një përpjekje për të institucionalizuar ashkun në marrëdhëniet e hatibit me hytben, minberin dhe xhematin, në gjurmët e Hatibit të parë.
Diskutoi edhe teologu Lavdrim Hamja, i cili bëri një analizë të librit, duke theksuar se përmbajtja e tij shtrihet në një hark kohor njëvjeçar, në brendësinë e të cilit janë përmbledhur 50 hytbe, që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, në shërbim të Fjalës së All-llahut dhe mësimeve të dritshme të Hz. Muhammedit (a.s).
Ai iu referua shkrimtarit Xhahid Bushati, i cili në një vlerësim për këtë libër, ndër të tjera shkruan: “Hytbet që kanë një numër të përcaktuar 50, janë fryte të një pune të dinjitetshme të autorit, të një pune të palodhur drejt mistereve të dijeve, të një “bashkëbisedimeve” me një literaturë të bollshme e Dijetarë që nuk plaken dhe ndriçojnë shekujt. Me këta të fundit, autori Sytari, me arritjet dhe vlerat e këtij libri që përçon, kuvendimi është më shumë se një amanet, devocion dhe ‘Thirrje në rrugën Islame’…”
Aktivitetin e përshëndeti edhe H. Fejzi Zaganjori, imam i xhamisë Rus, i cili vlerësoi këtë punë të re të Myftiut të Shkodrës, që shërben edhe për imamët dhe hatibët e tjerë, si pikë referimi.
Ndërsa autori, në fjalën e tij, thekoi se Minberi është një amanet i shtrenjtë, qeë nuk duhet shpërdoruar, as abuzuar me predikime të pakuptimta, interpretime të keqlexuara të fesë, nxitje të pamatura, larg boshtit dhe thelbit të fesë islame.
Myftiu falënderoi Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, që ishte iniciatori kryesor i botimit të këtij libri nga KMSh, sikurse shprehu mirënjohje edhe për shkrimtarin Xhahid Bushati, redaktor i librit, z. Bledar Xama, dizenjator i librit, z. Sami Gharbi, (artisti i shquar i kaligrafisë arabe nga Tunizia), kurator i kopertinës, teologët Lavdrim Hamja, Arben Halluni dhe Ervil Kuçi, z. Blendi Alushi, Dr. Genti Kruja, si dhe imamët e xhamive, ku u mbajtën këto 50 hytbe dhe xhematet e tyre, për kontributin me mendime të vyera, shërbimet e ndryshme dhe shoqërimin gjatë punës për realizimin e këtij libri.
Myftiu ia dedikoi këtë punim prindëve të tij.