Paraditën e së dielës, më 25 dhjetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi vizitat e urimit tradicional me rastin e Krishtlindjes.
Fillimisht ai u ndal në Famullinë Ortodokse të qytetit, pastaj në atë Katolike, ku uroi drejtuesit më të lartë të këtyre dy institucioneve dhe bashkësitë fetare përkatëse, me rastin e Festës së madhe të botës së krishterë.
Gjatë vizitave, Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria e respektimit të ndërsjellët në mesin e besimeve dhe besimtarëve, ruajtjen e ekuilibrave të paqes sociale, rritjen e bashkëpunimit, sidomos për çështje të ndryshme që i shërbejnë shembullit të bashkëjetesës paqësore dhe kapërcimit të lëngatave shoqërore, si: varfëria, veset, problemet në familje, arsimi, edukimi etj.
Mytiu uroi krejt bashkësitë e krishtera të qytetit të Shkodrës, duke thënë se të gjithë së bashku jetojnë në këtë mirësi të Zotit që quhet Shkodër dhe se komunitetet fetare përbëjnë një mozaik të bukur të diversitetit dhe harmonisë në shoqëri.