Xhamia “Ebu Bekër” mbushet me emocionet e haxhilerëve të Shkodrës

Xhamia “Ebu Bekër” mbushet me emocionet e haxhilerëve të Shkodrës

Xhamia “Ebu Bekër” mbushet me emocionet e haxhilerëve të Shkodrës

Pasditen e së shtunës, më 24 maj 2025, Myftinia Shkodër e nisi javën e aktiviteteve kushtuar haxhilerëve shkodranë të vitit 144/2025.

Nga xhamia “Ebu Bekër”, që ishte përzgjedhur si stacioni i parë i këtij vargu aktivitetesh, u dhanë mesazhe me vlerë, këshilla të shoqëruara me emocione të mëdha dhe mësime të dobishme për haxhilerët e këtij viti.

I ftuar i veçantë i kësaj tribune fetare ishte Myftiu i Tiranës, Imam Bilal Teqja.

Pas fjalës së mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua haxhilerëve me disa këshilla dhe mesazhe të mbushura me emocione, që nuk fshiheshin, fjala i kaloi Myftiut të Tiranës, i cili dha disa mesazhe me vlerë për haxhilerët shkodranë të këtij viti.

Në fjalën e tij, Myftiu i Tiranës vuri theksin te madhështia e Haxhit dhe historia shekullore e këtij adhurimi, që lidhet me emrin e madh të Hz. Ibrahimit (a.s) dhe porosinë hyjnore për t’i ftuar besimtarët për kryerjen e Haxhit vit pas viti.

Nëpërmjet shembujve të shumtë nga Kur’ani Famëlartë, hadithet e Pejgamberit (a.s) dhe ngjarjet e ndryshme nga historia islame, Myftiu i nderuar i Tiranës mbushi atmosferën me emocione të shumta, që reflektuan edhe te haxhilerët e pranishëm.

Me lutjet e përzemërta nga të pranishmit, ky aktivitet u mbyll me shpresën e ritakimit ditën e hënë, më 26 maj 2025, në xhaminë e Parrucës, ku do të nisin edhe seancat e trajnimit teorik dhe pyetje-përgjigje të ndryshme me haxhilerët shkodranë të këtij viti, që e kalojnë numrin e njëqind besimtarëve.

Në fund të aktivitetit, teologu Arben Halluni falënderoi dy Myftilerët për këshillat dhe mesazhet e tyre, sikurse lexoi përpara të pranishmëve programin javor, që Myftinia Shkodër ka përgatitur për haxhilerët e këtij viti.

Myftinia Shkodër falënderon përzemërsisht Myftiun e nderuar të Tiranës, Imam Bilal Teqja për përgjigjen e ftesës dhe lutet me zemër, që kjo javë e mbarë e trajnimit të haxhilerëve të ketë mbarësinë dhe bekimet e Allahut (xh.sh).