
Myftiu Sytari: “Haxhi, mundësi reale e ndryshimit rrënjësor të jetës!”
Paraditen e së hënës, më 26 maj 2025, Myftinia Shkodër vijoi me trajnimin e haxhilerëve shkodranë të këtij viti. Aktiviteti që nisi në xhaminë e Parrucës u përqendrua te ligjërata e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili hodhi dritë rreth veçorive të Haxhit si adhurim i veçantë në mesin e adhurimeve dhe shtyllave të fesë islame.
Në mesazhet e ligjëratës së tij, Myftiu iu drejtua besimtarëve të pranishëm me fjalë zemre, ku ndër të tjera theksoi, se kryerja e Haxhit është mundësi për ndryshimin e jetës, sepse nga dita kur muslimani vendos të ndërmarrë këtë udhëtim të jashtëzakonshëm jete, ai në të vërtetë lidh një marrëveshje nderi me Zotin e gjithësisë për t’u përkushtuar në rrugën e Tij nga momenti, që del nga shtëpia drejt Haxhit dhe detyrimisht, pas kthimit nga vendet e shenjta.
Myftiu tha, se një njeri, i cili kryen me përkushtim adhurimin e Haxhit është një njeri ndryshe, i mbushur me bekim dhe mirësi, i falur nga Zoti i gjithësisë dhe i rrethuar nga mëshira e Tij.
Myftiu theksoi, se haxhiu është garanci në shoqërinë e tij dhe burim mirësie për këdo me të cilin është në kontakt.
Në seancën e dytë të ditës së sotme, haxhilerët u prezantuan me murshidët e tyre të këtij viti, imamët e nderuar, H. Altin Nikshiqi dhe H. Ylber Rupa, të cilët do të jenë shoqëruesit dhe shërbyesit e tyre në këtë udhëtim të paharruar.