Paraditën e së enjtes, më 26 janar 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga teologët Arben Halluni dhe Lavdrim Hamja, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e studiuesit, eruditit, poliglotit dhe përkthyesit të shquar shqiptar, H. Ismail Muçej.
Myftiu u interesua për shëndetin e të nderuarit, H. Ismail Muçej dhe i shprehu atij mirënjohjen e madhe për shembullin e tij, për kontributet e vyera në dobi të dijes, kulturës dhe shpirtit islam, që në rini të tij, gjatë viteve të rënda të burgut në periudhën komuniste, viteve të gjata të punës së rëndë fizike, por edhe pas vitit 1990, kur zotëria e tij ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Drita Islame”.
Sikurse shkruan edhe z. Islam Dizdari: “Lindi më 14.12.1924 në Shkodër. Jeta e këtij burri është plot kthesa dhe të papritura të mundimshme. Bie e ngrihet, e ka të vështirë, por nuk dorëzohet, nuk thyhet, vazhdon e ecën gjithnjë përpara. Ndoqi studimet në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës ku u shqua si nxënës i shkëlqyeshëm. Që në bankat e shkollës përvetësoi mjaft mirë arabishten, anglishten, frëngjishten dhe italishten. Falë kësaj përgatitjeje iu sigurua bursa për në Institutin Oriental të Napolit. Por kjo nuk u arrit. Shkaqet nuk po i përmendim. Janë politike.
Si medresist mori pjesë në shumë veprimtari atdhetare kundër pushtuesit, më vonë u aktivizua në organizatën e Ballit Kombëtar, madje kontribuoi në themelimin e çetave në Pukë e në Kukës dhe kreu detyrën e përkthyesit pranë misionit anglez në veri të Shqipërisë. U lidh dhe bashkëpunoi me nxënës të shumë shkollave të vendeve të huaja, si: Belgjikë, Itali, Turqi, Indi etj., me të cilët shkëmbente literaturë historike, letrare, fetare e shkencore. Iu përkushtua publicistikës duke qenë bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Zani i Naltë” “Kultura Islame” dhe “Njeriu”. Që krejt i ri, pa i mbushur të njëzetat replikoi plot kompetencë me njërën nga gazetat e njohura shtetërore të asaj kohe (1944) “Bashkimi i Kombit”…
Më 6.11.1952 arrestohet, ku në fillim dënohet me vdekje që iu kthye në burgim me 20 vjet. Akuzat nuk po i përmendim, ato janë falsifikime të qëllimta të një prokurorie ogurzezë. Këto akuza u përsëritën me qindra herë ndaj burrave të nderuar të kombit tonë, ndaj ajkës së inteligjencës së vendit tonë, ndaj të moshuarve dhe të rinjve. Sundonte injoranca, egërsia, që aq mirë e kemi njohur, sundonte lufta e klasave. Pas viteve sfilitëse në punët e rënda të kampeve famëkeqe, tani ndryhet në burgun famëkeq të Burrelit. Këtu zotëri Ismaili kaloi ditët e gjata të pjesës më të bukur të rinisë së tij. Burgu qe një shkollë e vërtetë, një vatër me shumë vlera edukimi, burrërie.
Në ato vrima të zeza të birucave të burgut ku diktatura i kishte ndryrë bijtë më të mirë të popullit për t’i thyer, aty u rritën dhe u edukuan heronj të vërtetë. Sikurse kujton vetë zotëri Ismaili: “… ishte ai mjedis, ajo frymë kulture e pjekurie që t’i largonte vuajtjet fizike e brengat shpirtërore dhe e mbante njeriun me shpresa se nuk ka mbaruar gjithçka… Aty gjeta mësuesin e fundit të jetës sime, edukatorin e shquar në të gjitha fushat e kulturës që mbeti për mua si edukator dhe dekan i universitetit të jetës. Ky ishte eruditi Et’hem Haxhiademi, nga Elbasani…”
Veprat që shkroi janë shembulli më i qartë se deri ku arrin vullneti dhe këmbëngulja e njeriut, këto vepra as një institut i organizuar nuk do të mund t’i realizonte, e pra i vetëm pa ndihmën e askujt ai i hartoi dhe më në fund i bëri gati për botim. Por, e them me dhimbje, ato janë ende në dorëshkrim. Ja të japim një panoramë të shpejtë të tyre:
Fjalori Arabisht-Shqip me 45.000 fjalë dhe 20.000 shprehje prej 2.000 faqesh.
Fjalori Shqip-Arabisht me 25.000 fjalë dhe 30.000 shprehje prej 1300 faqesh.
Metodë e mësimit të gjuhës arabe, e përkthyer nga Gaspary Otto Sauer, orientalist i shquar gjerman.
Feja dhe misioni i saj, me 350 faqe.
Pse përqafova Islamin, 120 faqe.
Pohime të një spiuni anglez, 70 faqe.
Rendi i ri botëror, 100 faqe.
Si arriti Kur’ani deri në ditët tona, 70 faqe.
Ka redaktuar një numër të madh librash fetarë, ka botuar me qindra artikuj në organe të ndryshme shtypi brenda e jashtë vendit, ka mbajtur ligjërata në simpoziume e veprimtari të tjera shkencore brenda e jashtë vendit, si në Vjenë, Marok, Libi, Londër, Arabi Saudite etj.” – (Artikulli i plotë: http://www.dritaislame.al/ismail-mucej-simbol-i-vullnetit-…/)
H. Ismail Muçej, është sot, pa dyshim njëri ndër personalitetet më të shquara të kombit, erudit i palodhur, lexues i regullt, përkthyes dhe edukator aktiv, përtej moshës së thyer dhe vuajtjeve të panumërta që ka kaluar gjatvë jetës.