
Ligjërata të larmishme gjatë periudhës qershor – shtator 2025
Në kuadër të gjallërimit të jetës fetare në xhamitë e qytetit të Shkodrës, Myftinia Shkodër ka përgatitur një program hytbesh dhe ligjëratash të shpërndara në xhamitë të ndryshme të qytetit dhe të fshatit.
Në këtë kontekst shpërndarë lajmërimet për ligjëratat e hoxhës së nderuar, H. Bashkim Bajraktari, i cili do të ligjërojë në xhaminë e Drishtit, “Dy Vajzata”, Ura e Bunës, “Ebu Bekër”, Dërgut, Bahçallëk, Draçin, Dudas, Medrese, Rus, Trush, Milan, Bardhaj.
Poashtu, pjesë e këtij programi është edhe xhamia e fshatit Luarz, ku gjatë periudhës qershor – shtator 2025, do të ligjërojë imami i nderuar, teologu Anis Agovi, i cili do të trajtojë në hytbet e xhumave të kësaj periudhe, tematika me vlerë si: “Muaji Muharrem, Muaji i Allahut”, “Viti i Ri Hixhri, historiku dhe dobitë”, “Dita e Ashuras mes vlerave dhe mirësive”, “Kujdesi për shenjtërinë e muajve të shenjtë”, “Le të jetë rregullisht gjuha jote në përmendje të Allahut”, “Margaritarë të moraleve islame”, “Prej Islamit të mirë të njeriut është mos angazhimi me çështjet personale të të tjerëve”, “Nuk do të besoni, siç duhet, derisa të doni për vëllain tuaj atë që doni për vete”, “Atij i cili ja lehtëson një hall një besimtari, Allahu do t’ia lehtësojë hallet e dynjasë dhe të ahiretit”, “Bëhuni robër të Allahut siç duhet dhe vëllezër mes jush!”, “Lindja e begatë e Profetit (a.s)”, “Feja është sinqeritet dhe këshillë”, “Sikur të mbështeteshit tek Allahu siç duhet…”, “O biri i Ademit! Nëse gjynahet e tuaja arrijnë lartësitë e qiejve, por ti më kërkon falje, Unë të fal!”, “Thuaj: I besova Allahut dhe qëndroji kësaj rruge!”
Një program tjetër i larmishëm, që nisi me rihapjen e xhamisë së Plumbit, pas restaurimit të plotë të saj është edhe gjallërimi i kësaj xhamie me ligjërues të ndryshëm, sipas një programi të përgatitur nga Myftinia Shkodër, ku ligjërues të spikatur prej imamëve dhe teologëve të Shkodrës do të kenë mundësinë t’i drejtohen besimtarëve nëpërmjet minberit të kësaj xhamie.
Myftinia Shkodër ju fton të bëheni pjesë e këtyre programeve të dobishme dhe me vlerë për besimtarët.