“Nën hijen e trashëgimisë sonë” – Mbrëmja e Parë Fetare me nxënësit e mejtepeve në Xhaminë e Plumbit

“Nën hijen e trashëgimisë sonë” - Mbrëmja e Parë Fetare me nxënësit e mejtepeve në Xhaminë e Plumbit

“Nën hijen e trashëgimisë sonë” – Mbrëmja e Parë Fetare me nxënësit e mejtepeve në Xhaminë e Plumbit

Myftinia Shkodër, përmes sektorit të arsimit, organizoi me nxënësit e disa mejtepeve dhe kurseve fetare një mbrëmje të veçantë shpirtërore, e para e këtij lloji pas restaurimit të xhamisë së Plumbit, një nga simbolet më të çmuara të trashëgimisë sonë fetare, historike dhe kulturore.

Programi i këtij aktiviteti që mblodhi rreth 300 nxënës, mësues, imam dhe prindër, me temë; “Nën hijen e trashëgimisë sonë”, u hap me lexim të disa ajeteve kur’anore nga imami i kësaj xhamie, H. Bajram Belgin dhe me një fjalë hapëse dhe frymëzuese nga teologu Arben Halluni, drejtues i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër.

Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në mesazhin e tij u ndal te kujtesa e gjallë e vlerave tona islame, dhe si një frymëzim për edukimin dhe përkushtimin e të rinjve në rrugën e dijes dhe besimit, sidomos në këtë periudhë vere që duhet shfrytëzohet maksimalisht me dije dhe moral të lartë islam.

“Ky tubim dhe krejt tubimet e tjera janë ditë gëzimi për këta fëmijë (nxënës). Dhe ezani i tyre është gjallëri për xhaminë e Plumbit dhe për të gjitha xhamitë e Shkodrës. Ezani i fëmijëve në xhamitë tona sa do që të duket i naltë, është i barasvlershëm me cicërimat e këtyre zogjve që na e shoqërojnë leximin e Kur’anit dhe mesazhet e ndryshme që ne përcjellim me një përshpirtësi të pa përshkruar…” – tha Myftiu Sytari

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Atasheu për Çështje Fetare në Ambasadën e Turkijes në Tiranë, Dr. Adem Gerdeliz, si dhe një përshëndetje të ngrohtë nga H. Kujtim Cufaj, mësues i përkushtuar i mejtepeve për mbi 34 vite.

Emocione të veçanta krijuan paraqitjet artistike të nxënësve të xhamisë Bardhaj, nën drejtimin e znj. Aurelda Dizdari, të cilët përçuan përmes recitimeve dhe ilahive ndjenjat e besimit, përkushtimit dhe historisë islame.

Atmosfera u zbukurua më tej me tingujt e ëmbël të ilahive si dhe një koktejl i përgatitur nga znj. Kimete Elezi, përgjegjëse dhe mësuese në qendrën kulturore Oblikë, së bashku me stafin e saj vullnetare.

Aktiviteti vijoi me vizitat në ambientet historike të xhamisë së Plumbit, duke përfunduar me faljen bashkërisht të namazit të akshamit dhe shpërndarjen e librave dhe ilmihaleve falas për nxënësit, si dhuratë për rrugën e tyre në kërkimin e dijes dhe përforcimin e besimit islam.