Mesazhi i Myftiut me rastin e hënë së re të muajit Rebiul-Evel 1447, Lindjes së Begatë të Hz. Pejgamberit (a.s)

Mesazhi i Myftiut me rastin e hënë së re të muajit Rebiul-Evel 1447, Lindjes së Begatë të Hz. Pejgamberit (a.s)

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari me rastin e hënë së re të muajit Rebiul-Evel 1447, muajit të Lindjes së Begatë të Hz. Pejgamberit (a.s)

(Vajza ime e vogël erdhi në zyrën time për të më vizituar edhe u ul të punonte diçka. Nuk e kisha vënë re që ajo po vizatonte këtë që ju shihni dhe kur e pyeta më tha, se është kupola e Medines, kupola e Pejgamberit(a.s). )

Me zemër të mirë fillimin e muajit Rabiule-Evel! Tashmë jemi me 1 Rabiul-Evel të këtij viti hixhri 1447 dhe së bashku me dritën edhe gëzimin që ndihet gjithandej në horizonte ju përhajroj me zemër dhe ju ftoj që ta përhajroni njëri-tjetrin me rastin e fillimit të këtij muaji të begatë, që në të vërtet na sjell në mendje përkujtimin e Lindjes së Begatë të Pejgamberit tonë (a.s).

Ai Zotëri, i cili gëzimin edhe përkushtimin e tij ndaj Allahut (xh.sh), me rastin e kësaj dite të shënuar, e dëshmonte me anë të agjërimit; kur u pyet për agjërimin e ditës së hëne thoshte është dita në të cilën unë kam lindur. Subhanallah! Rahmet pastë i nderuari edhe i madhi Hafiz Ali Ulqinaku, i cili shkruante në vargjet e Mevludi Sherifit:

“U ndriçue jeta, kur leu ai Resul,

Qiell e tokë m’at sahat u mbush me nur!”

Dhe rikthehet në vëmendjen tonë me madhështinë e saj, dita e madhe e lindjes së Pejgamberit (a.s), që në fakt nuk është një ditë, është një stinë, është një jetë, është gjithçka. Me ardhjen në jetë të Pejgamberit tone (a.s) ndryshoi gjithësia. Është moment, që çdo musliman në çdo cep të botës, çdo njeri, çdo krijesë prej krijesave të Allahut të gëzohet, të shënohet  e të përpiqet, që këtë mirësi të madhe të Allahut (xh.sh)  ta dëshmojë me përkushtim e falënderim ndaj Allahut (xh.sh).

Dita e lindjes së Pejgamberit (a.s) nuk është thjeshtë një ditëlindje e zakonshme, është një stacion, i cili na rikthehet vit pas viti, siç Ramazani Mubarek, siç festat e mëdha, siç çdo shenjë prej shenjave që Allahu (xh.sh) ka vendosur në gjithësi për të na tërhequr drejt dashurisë së Tij.

Pejgamberi (a.s) erdhi në këtë botë dhe u largua nga kjo botë pasi e ndryshoi gjithësinë, e ndryshoi botën, e ndryshoi njeriun, e ndryshoi jetën, vendosi ekuilibër në këtë gjithësi, vendosi drejtësi, vendosi mirësi, përhapi paqen gjithandej, përhapi dashuri në mesin e popujve, vëllazëroi njerëzit me njëri-tjetrin, i vëllazëroi popujt me njëri-tjetrin, përhapi me drejtësinë e Zotit dhe me dritën e Tij dhe me udhëzimin hyjnor atë çfarë është më e mira për racën njerëzore. Erdhi (a.s), jetoi me mirësitë e bekimet e Allahut (xh.sh), si një bekim I papërshkrueshëm nga Zoti I gjithësisë dhe u largua duke thënë ndër të tjera që:

“Po lë në mesin tuaj dy shtylla të mëdha që po të kapeni mbas këtyre nuk do të humbni asnjëherë”

Pra, u largua dhe na la garant të siguruar për të mos devijuar nga rruga e dashurisë së Allahut dhe nga rruga e udhëzimit të tij, tha: “Kur’ani dhe tradita ime.” Kur’ani Famëlartë, të cilin Allahu (xh.sh) e ka ruajtur dhe e mbron deri në ditën e fundit dhe tradita e Pejgamberit (a.s), suneti i tij, hadithi i tij, që po ashtu është i mbrojtur deri në ditën e fundit.

Allahu (xh.sh) i çoi këtij ymeti e këtij njerëzimit njerëz të posaçëm që e grumbulluan fjalën e Pejgamberit (a.s) dhe e klasifikuan atë siç duhet, e sollën përpara duarve tona dhe kështu do të jetë deri në ditën e fundit. Prandaj,  gëzimi është për ne që i kemi sjell iman sikurse lexojmë në vargjet e poetëve tanë, gëzimi është për ne që i kemi sjellë iman.

Është moment që duke pare këtë dhuratë të vogël të vajzës sime të vogël për Pejgamberin (a.s) të ulemi me fëmijët tanë, t’i lexojmë jetën e Pejgamberit (a.s), të ulemi me njëri-tjetrin të prezantojmë në mexhliset ku i këndohet Pejgamberit (a.s), ku lexohet për jetën e Pejgamberit (a.s), ku shpjegohen hadithet e Pejgamberit (a.s), ku mësohet tradita e Pejgamberit (a.s), për ta mbajtur amanetit e Pejgamberit (a.s), i cili në prag të largimit nga kjo botë i tha sahabëve të pranishëm në një mexhlis të paharruar, tha pastaj: “Përcilleni selamin tim të gjithë atyreve, që do të hynë në fenë tuaj deri në Ditën e Kijametit!” – Ve alejkes-selam, ja Sejjidi  Resulullah!

Dhe ne e morëm selamin e Pejgamberit (a.s) dhe vazhdojmë ta jetojmë selamin e Pejgamberit (a.s) dhe kur vjen stina e begatë e Rabijul-Evel, e Pranverës së Parë, gëzohen zemrat tona, angazhohen maksimalisht për ta përhapur këtë gëzim të madh, për ta përhapur këtë dritë të madhe edhe më shumë se më përpara, si për t’i thënë gjithsecilit me të cilët jetojmë, punojmë, bashkëpunojmë në këtë ditë, në këtë muaj ka lindur Pejgamberi (a.s), në këtë ditë e në këtë muaj ka lindur shpresa më e madhe e gjithësisë, në këtë ditë e në këtë muaj ka lindur mëshira e dhuruar për gjithësinë, në këtë ditë e në këtë muaj Allahu (xh.sh) i çoi gjithësisë shpëtimtarin..!

E përderisa ne e përkujtojmë Pejgamberin (a.s) dhe gëzohemi me këtë gëzim të madh të gjithësisë, patjetër që ka shpresë e ka mirësi e ka bekim dhe i lutemi Allahut (xh.sh) që përkujtimi i sivjetshëm i lindjes së Pejgamberit (a.s) dhe mesazhet që rrezaton ky përkujtim të sjellë mirësi e begati për mbarë gjithësinë, për mbarë njerëzinë.

Allahu ju dashtë e ju begatoftë!

1 Rebiul-Evel 1447 | 24 gusht 2025

 

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër