
Imam Didmar Faja viziton Myftininë Shkodër
Ditën e mërkurë, më 27 gusht 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim të përzemërt të nderuarin Imam Didmar Faja, Kryetarin e Këshillit të Imamëve të Arizonës, njëkohësisht Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës dhe Imam e drejtues i United Islamic Center of Arizona, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në vendlindje.
Gjatë bashkëbisedimit vëllazëror u ndanë mendime dhe ide të ndryshme që lidhen me jetën fetare në Shkodër, për zhvillimin e aktivitetit të Thirrjes Islame në Shkodër, si dhe rrugët e shfrytëzimit të rrjeteve sociale dhe medias për përhapjen e mëtejshme të mesazheve dhe vlerave islame për masën.
Gjatë këtij takimi, Myftiu i Shkodrës, lajmëroi të nderuarin imam Ditmar Faja për aktivitetet e larmishme që po zhvillon Myftinia Shkodër gjatë këtij viti jubilar, i cili është i 35-i i rimëkëmbjes islame pas periudhës së errët komuniste, që e privoi Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë për lirinë fetare.
Në këtë kontekst Myftiu i Shkodrës e ftoi të nderuarin Imam Didmar Faja, që të ketë një bashkëbisedim me një grup imamësh si dhe të mbajë hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit.
Bashkëbisedimi i ngrohtë dhe vëllazëror vijoi rreth tematikave me interesa të përbashkëta.