U mbyll me sukses Cikli 2 i hytbeve të Mevludit 1447 në xhaminë e Plumbit
Në kuadër të 35-vjetorit të hapjes së xhamisë së Plumbit dhe përkujtimit të Mevludit Sherifë, muajit të Lindjes së Begatë të Pejgamberit (a.s), Myftinia e Shkodrës zhvilloi Ciklin 2 të hytbeve të Mevludit 1447, të mbajtura në xhaminë e Plumbit në periudhën 5 shtator deri më 31 tetor 2025.
Përmes këtij cikli hytbesh të veçanta, synohej përcjellja e mësimeve dhe këshillave me vlerë nga jeta e të Dërguarit të Allahut (a.s), të cilat mbartin mesazhe universale të mëshirës, tolerancës, bashkëjetesës dhe vëllazërisë njerëzore te mbarë popujt e botës, duke ditur se Pejgamberi (a.s) u dërgua mëshirë dhe i dërguar për mbarë njerëzimin.
Në këtë cikël hytbesh morën pjesë imamët hatibë dhe teologë të Myftinisë Shkodër sipas një kalendari dhe programit të publikuar më parë, duke filluar me hytben e parë më 5 shtator 2025, të mbajtur nga H. Alban Kali dhe duke vijuar më pas me hytbet e tjera nga H. Besim Barbullushi, H. Ardit Hoxha, H. Ervin Juku, H. Ervis Molla, H. Sadri Ujkaj, H. Anis Agovi, H. Arben Halluni dhe H. Ademir Xama, i cili mbajti hytben e fundit të këtij cikli, më 31 tetor 2025.
Ky program i larmishëm hytbesh, temash dhe hatibësh u prit mirë dhe u vlerësua nga besimtarët dhe veçanërisht nga xhemati i xhamisë së Plumbit, e cila pas rikonstruksionit të kryer, është kthyer në një tërheqje të shtuar të vizitorëve të shumtë vendas dhe të huaj, që e frekuentojnë këtë xhami duke marrë mirësitë dhe bekimet e shtëpisë së Zotit.
Përmes këtyre hytbeve, Myftinia e Shkodrës synon të përcjellë mesazhet islame të mëshirës, solidariteti, tolerancës dhe vlerave njerëzore, që mbart dhe promovon Islami për të gjithë njerëzit.
Myftinia Shkodër, duke shpresuar në zhvillimin e cikleve të tjera, falënderon të gjithë imamët dhe hatibët, të cilët morën pjesë në këtë cikël hytbesh, ku me kompetencë dhe përgatitje shkencore arritën të përcjellin mesazhet e duhura dhe më të mira.
