Ditën e xhuma, më 26 shkurt 2016, Myftinia Shkodër dhe Fondacioni “Mirësia”, organizuan ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re në fshatin Mjedë.
Xhami e re e Mjedës u realizua falë bashkëpunimit me Fondacionin “Mercy International” dhe sponsorizimit të zonjës Fatima Salimin nga Kuvajti.
Shiritin e inaugurimit e preu vetë donatorja e kësaj xhamie, së bashku me familjarët e saj, duke dhuruar emocione të bukura dhe kënaqësi për krejt të pranishmit.
Në ceremoninë e hapjes së xhamisë së re dhe faljes së xhumasë së parë ishin edhe drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nën drejtimin e nënkryetarit H. Bujar Spahiu, familjarët e donatores nga Kuvajti, përfaqësues të ambasadës kuvajtiane në vendin tonë, drejtues të fondacioneve dhe shoqatave të ndryshme bamirëse islame, Myftiu i Malësisë së Madhe, si dhe besimtarë të shumtë të zonës.
Në fjalën e tij të rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi zonjën Fatima Salimin, e pranishme në xhami, si dhe z. Korab Kaja, për bashkëpunimin e frutshëm me Fondacionin “Mirësia”, tha se xhamia e re e Mjedës është një shenjë nga Zoti i gjithësisë, që dëshmon nëpërmjet shtëpisë së Tij, dashurinë dhe mëshirën e madhe për banorët e kësaj zone.
Myftiu tha se përtej trysnisë së të shkuarës ateiste, afetarizmit dhe islamofobisë së të sotmes, Islami lulëzon edhe nëpërmjet afrimit të rinisë dhe brezit të ri me fenë dhe mësimet e saj.
Ceremoninë e përshëndeti edhe nënkryetari i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, që tha se kjo xhami e re në fshatin Mjedë është një derë e re drejt adhurimit të Zotit, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Ai falënderoi donatoren dhe tha se ky veprim i saj dëshmon në vetvete madhështinë e Islamit, që i bën muslimanët anëmbanë botës vëllezër besimi!
Ndërsa z. Korab Kaja, drejtori i Fondacionit “Mirësia”, pasi uroi të pranishmit për këtë mirësi të madhe, u lut që kjo xhami të jetë një simbol i rimëkëmbjes së vlerave të Islamit në këtë zonë. Ai falënderoi donatorin e këtij vakëfi, rahmetliun Ragip Rrema dhe dhuruesen e fondit për ndërtimin e xhamisë, znj. Fatima Salimin, që e ndërtoi këtë xhami për shpirtin e të shoqit Abdurrahim Es-Suvejdi.
Në emër të Fondacionit “Mercy International”, përshëndeti përfaqësuesi i saj, z. Omar El-Kenderi, që vlerësoi kontributin e Shtetit të Kuvajtit dhe fondacioneve të saj bamirëse për zbatimin e projekteve bamirëse në Shqipëri. Ai vlerësoi popullin shqiptar si bujar, mikpritës dhe bashkëpunues në rrugën e veprave të dobishme komunitare.
Cerenonia u pasua nga falja e namazit të xhumasë së parë në xhaminë e re, pas hytbes së mbajtur nga H. Bujar Spahiu.