Myftiu i Shkodrës: “Të lutemi për hartën e ymetit dhe muslimanët në çdo cep të globit!”
Gjatë ligjëratës së përjavshme, në xhaminë e Parrucës, ditën e martë, më 15 shtator 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fillim të ligjëratës së tij iu drejtua besimtarëve me një lutje për solidarizim me sprovat që po kalon ymeti islam, veçanërisht gjatë ditëve të fundit në Gadishullin Arabik, ku po dëshmohet një tendencë e çuditshme dhe krejtësisht e papranueshme e një agresioni që prek edhe Vendet e Shenjta.
Në fjalën e tij, Myftiu Sytari tha: “Në krye të herës, i lutemi Allahut të Madhëruar, në këtë mexhlisi mubarek, edhe pas namazit të akshamit të kësaj mbrëmjeje, që t’i ruajë muslimanët dhe hartën e ymetit islam nga agresioni i krejt atyre që i duan të keqen Islamit dhe muslimanëve.
Sikurse, i lutemi Allahut të Madhëruar, që t’i ruajë besimtarët dhe adhuruesit të Tij, veçanërisht në Vendet e Shenjta, që gjatë këtyre dy-tre ditëve të fundit, po jetojnë një shqetësim të madh pas alarmeve publike, që janë dhënë në disa prej qyteteve sot edhe në Mekë, nga rreziku i një agresioni të mundshëm nga njerëz që nuk e kanë frikë Zotin dhe nuk e kanë llogarinë e rregullt me Krijuesin e gjithësisë.
Ne jetojmë në kohë sprovash dhe në kohë fitnesh të çuditshme. Prandaj, e kemi për detyrë që të lutemi për krejt hartën e ymetit islam, pa asnjë lloj diference dhe dallimi!”
Myftinia Shkodër lutet që paqja dhe mirëqenia të mbizotërojnë në mbarë ymetin islam. Sikurse, fton besimtarët që të luten për bashkimin e fjalës së muslimanëve në çdo cep të botës dhe kthimin e tyre në hartën e Kur’anit dhe në traditat e Hz. Muhammedit (alejhis-selam).
Dersin e plotë të Myftiut mund të ndiqni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: