Mbrëmjen e së enjtes, më 23 mars 2017, pas namazit të akshamit në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër, zhvilloi një aktivitet përkujtimor, me rastin e 10 vjetorit të përurimit të xhamisë së re të lagjes Parrucë.
Aktiviteti nisi me një fjalë hyrëse nga teologu Lavdrim Hamja, i cili u ndal tek dy momente të spikatura në Kur’an, në raport me rolin e xhamisë në shoqëri.
Më pas referuan: Imam Muhamed B. Sytari, teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër” dhe imami i xhamisë Parrucë, teologu Naim Drijaj.
Në referatet e tyre, u hodh dritë mbi historikun e vjetër të xhamisë Parrucë, si një vend adhurimi shekullor për lagjen e vjetër muslimane të Parrucës, roli i xhamisë në edukim dhe ruajtje nga devijimet, si dhe edukata e marrëdhënies me xhaminë dhe e komunikimit në të.
U përmendën me mirënjohje dhe respekt hoxhallarët e nderuar që kontribuuan ndër shekuj, si dhe donatorët e nderuar që mundësuan ngritjen e xhamive në këtë lagje.
Në mënyrë të veçantë, u spikat kontributi i madh i të nderuarit, z. Seit Fishta, që mundësoi ndërtimin e xhamisë së re të Parrucës, si dhe kontributi i vyer i qeverisë turke, që nëpërmjet organizatës TIKA, mundësoi veshjen e xhamisë me qeramikat zbukuruese.
10 vjetori i xhamisë së re të Parrucës, e treta në harkun kohor të tre shekujve të fundit, ka një domethënie shumë të veçantë për muslimanët e Shkodrës, pasi u përurua plot 40 vite pas shkatërrimit të xhamisë së vjetër nga pushteti komunist.