Ditën e dielë, më 16 prill 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, me bashkëpunëtorë, zhvilloi vizitat tradicionale në Kishën Ortodokse dhe në Famullinë Katolike të Shkodrës, me rastin e festës së Pashkës, si një ditë e shënuar për besimtarët e krishterë kudo në botë.
Urimet për besimtarët e krishterë, Myftiu i ndau me drejtuesit e komunitetit ortodoks dhe atij katolik; At Aleksandër Petani dhe Mons. Angjelo Massafra, me të cilët zhvilloi edhe një bashkëbisedim mbi realitetet e sotme të vendit dhe botës, si dhe domosdoshmërinë e paqtimit të njeriut me Zotin dhe shtimin e dashamirësisë së njeriut për vëllanë e tij njeri.
Në mesazhet e tij, Myftiu theksoi se ruajtja e ekuilibrave të harmonisë fetare, si vlerë e rëndësishme kombëtare, si dhe angazhimi për forcimin e paqes sociale, kërkon maturi dhe ruajtje nga përpjekjet për prishjen e këtyre ekuilibrave.
Ai tha se, ne duhe të ndahemi nga vulgu i nxitjes së urrejtjes fetare, që disa e kanë ndërmarrë si mision, duke mbjellur përçarje në mesin e shqiptarëve, si dhe duke nxitur mosrespektimin e besimit dhe simboleve të tij.
Njëkohësisht, Myftiu theksoi se organizimi i një marshimi publik në mesin e besimtarëve të feve të ndryshme, deklaratat, aktivitetet e përbashkëta etj, janë mundësi për të nxjerrë në pah angazhimet tona të sinqerta drejt rrugëve të paqes, harmonisë dhe ruajtjes së tyre.