Myftiu takoi imamët e Postribës dhe Rrethinave
Pasditën e së martës, më 21 korrik 2026, në ambientet e Qendrës Kulturore së xhamisë së Bardhajve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e Postribës dhe Rrethinave, ku diskutoi rreth aktivitetit fetar dhe zhvillimit të tij në xhamitë tona.
Myftiu i uroi mirëseardhjen edhe dy studentëve të ri, H. Dritan Bajraktari dhe H. Idriz Hykaj, që do të shërbejnë në disa prej xhamive të këtyre dy zonave përgjatë sezonit veror.
Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, vuri theksin tek pozita e imamit dhe roli i tij në gjallërimin e traditave islame në shoqëri, si prijës elitar e njeri i besueshëm në shoqëri.
U prezantua programi i hytbeve për periudhën 24/7 -29/8/2026 për këto xhami, si dhe u kërkua bashkëpunimi i duhur për mbarëvajtjen e tij.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shumë tematika me interes për komunitetin dhe gjallërimin e jetës fetare të xhamive tona.







