Ditën e dytë të Ramazanit, më 28 maj 2017, imamët dhe këshilli i Myftinisë Shkodër janë mbledhur në iftarin tradicional që shtrohet me rastin e Muajit të begatë të Ramazanit.
Në sofrën e begatë të vëllazërisë dhe harmonisë islame, imamët e qytetit dhe të fshatrave, ndanë me njëri-tjetrin përvojat dhe kënaqësitë e ditëve të para të këtij muaj plot mirësi dhe begati.
Teologu Arben Halluni, në emër të Myftinisë Shkodër, uroi mirëseardhjen të gjithë imamëve duke shprehur mirënjohje dhe respekt për punën e tyre fisnike në shërbim të Thirrjes Islame.
Ai theksoi se muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të qenë çdo natë të teravisë pranë xhematit, sikurse duhet shfrytëzuar në maksimum për të mirën e njerëzve dhe të fesë.
Në fund të këtij iftari vëllazëror, teologu Lavdrim Hamja, falënderoi edhe një herë imamët e nderuar për angazhimin e tyre të përhershëm në shërbimet ndaj vlerave të besimit islam që përhapin çdo ditë.
Ky iftar u mbyll me duanë e rastit, të cilën e bëri Hafiz Shukri Kapllan.
Tradita e bukur e shtrimit të iftareve gjatë muajit të Ramazanit, tashmë ka marrë rrugëtimin e saj dhe për çdo ditë të Ramazanit, iftaret do të jenë të pranishme në mesin e xhemateve dhe agjëruesve të ndryshëm.