Urimi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Fitër Bajramit 1438

Të dashur e të shtrenjtë agjërues të Ramazanit,

All-llahu e pranoftë sakrificën tuaj gjatë këtij Muaji të begatë, pranoftë adhurimet tuaja, jua begatoftë Fitër Bajramin tuaj, këtë ditë të madhe të Festës e gëzimit, që ndër banorë të qiellit thirret: Dita e Shpërblimit, ditë në të cilën gëzon dhe fiton ai që agjëroi Ramazanin, që fali namazin, që kaloi natën me lutje e dhikre, me besim e bindje në shpërblimin e Krijuesit Mëshirëplotë!

Dita në të cilën, merr shpërblimin e merituar kushdo që iu bind Mëshiruesit, që gjeti qetësi e prehje në leximin e Kur’anit, që me korrektësi fali namazin, që u afrua me Zotin e tij nëpërmjet sadekasë e zekatit, namazit të teravisë e lutjeve të natës!

Dita e madhe e bekimeve të merituara për këdo që gëzoi skamnorët me një iftar të sinqertë, që ushqeu të pangopurit e mjerë, që gëzoi fukaratë, që vizatoi një buzëqeshje në fytyrën e jetimit, që kërkoi për njerëzit në nevojë, të sëmurët e të dëshpëruarit nga realitetet hipokrite!

Dita e madhe e bujarisë hyjnore ndaj atyre që hodhën hapat e tyre drejt plotësimit të nevojave të panumërta të nevojtarëve, që falën dhe toleruan, që afruan të largëtit dhe hapën dyert e zemrave për ata që ditën të trokasin, që i dhanë atyre që i lënduan dhe falën ata që u bënë padrejtësi, jo nga dobësia, por nga madhështia e zemrave të tyre të ndriçuara nga Drita e besimit dhe përkushtimi ndaj All-llahut!

Dita e shumëpritur për këdo që bëri mirë dhe dhuroi paqe e shpresë në këtë shoqëri, që ia vodhën Ramazanin e sivjetshëm dhe ia dhunuan Ditën më të Shtrenjtë të vitit, edhe me bekime të pamerituarish!

All-llahu ju bëftë prej triumfuesve me Mëshirën, Faljen dhe Bekimet e Tij!

Gëzuar e për shumë vjet Fitër Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 24 qershor 2017