Nga minberi i xhamisë së Parrucës, të xhumanë e fundit të Ramazanit 1438, më 23 qershor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari bëri thirrje për të vlerësuar mirësitë e All-llahut në jetë, në krye të cilave është udhëzimi në besim dhe bekimet që e pasojnë atë.
Myftiu tha se njeriu i udhëzuar në Islam, është i ftuar të llogarisë mirësitë e Zotit në jetë dhe të jetë falënderues, nëpërmjet deklarimit të tyre dhe nëpërmjet punës së vazhdueshme për të ruajtur kufijtë e hallallit në jetë.
Në hytben e kësaj jave, Myftiu theksoi se Ramazani nuk duhet parë si një adhurim i ngushtë njëmujor, por si një mundësi korrigjimi dhe përmirësimi i cilësisë së besimit dhe jetës me Zotin, që nuk ka kohë as kufi dhe që mbyllet me largimin nga kjo botë drejt bekimeve të premtuara.
Ai ftoi të pranishmit e shumtë që të mos ngurrojnë për të falënderuar Zotin për mirësitë e shumta me të cilat e bekuar jetën e tyre, si dhe ta dëshmojnë këtë falënderim edhe nëpërmjet bamirësisë së vazhdueshme, sadekasë dhe zekatit për njerëzit më nevojë.
Myftiu u lut që ky muaj me adhurimet e tij të jetë pranuar dhe të vijë ndërmjetës dëshmues për mirë në ditën e gjykimit.