Mbrëmjen që kaloi, në përfundim të namazit të jacisë, në xhaminë e Pejgamberit tonë (a.s) prania e madhe e besimtarëve, brenda xhamisë dhe jashtë saj, ishte më e madhja që kam parë ndonjëherë në atë vend. Besimtarët e panumërt, që mbushnin horizontet, thuhej se atë ditë e kishin kaluar shifrën e një million frymëve… Ngjante me një tavaf të madh në ditët e haxhit…
Ajo e turmë e madhe njerëzish, më solli ndër mend një hadith të Hz. Muhammedit (a.s), që më ka shoqëruar gjatë gjithë ditëve të pakëta të qëndrimit në Medinen e Pejgamberit (a.s). Një hadith i transemtuar në rrugë të ndryshme e të shumta, ku i dërguari i All-llahut (a.s) i tha një ditë sahabëve të tij: “Kisha dëshirë të takoja vëllezërit e mi…” Sahabët e pyetën: A nuk jemi ne vëllezërit e tu, ja Resulall-llah? Tha: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që më kanë besuar, edhe pse nuk më kanë parë!” – (Ahmedi nga Enes ibn Malik).
E kam pyetur veten shpesh, tek Pejgamberi (a.s), por edhe para Qabes së Madhnueshme, teksa vështroja vëllezërit tanë nga mbarë bota; nga Azia e largët, nga Afrika, nga Amerika, Europa, nga çdo cep i globit dhe, duke e krahasuar me realitetet e botës islame sot, a e kemi justifikuar ne me sjelljen tonë, me veprën tonë, a e kemi justifikuar dhe e justifikojmë me e thanë këtë hadith dhe me e përmendë para njëri-tjetrit dhe, me e mendu se një ditë Resulull-llahu i ka folë këto fjalë për ne?
A e justifikon ymeti islam sot, në këto katrahura dhe në këtë çoroditje që përjeton; injorancë, devijim, shthurrje, përçarje etj? A e justifikon ymeti islam sot, këtë vëllazëri, të cilën Resulull-llahu (a.s) e ka përmendur para 15 shekujsh?
Desha që tema e hytbes së xhumasë së sotme të ishte pikërisht ky hadith dhe shpirti që ai bart në vetvete. Realisht, kjo është pyetja që duhet me ia ba secili vetes së tij: A e meritoj unë të jem VËLLA i Pejgamberit (a.s)?
Turma-turma, që qëndrojnë në radhë të gjata për të dalë përpara Mekamit të tij (a.s), për t’i dhënë selam. Po, por pyeteni veten se çfarë selami është ky, që nga njëra anë na emocionon, por nga ana tjetër realitetet tona nuk përputhen me atë çfarë në të vërtetë duhet të jetë një VËLLA i Pejgamberit (a.s)?!
Selam dhe injorancë?! Selam dhe egoizëm?! Selam dhe kapriço?! Selam dhe të nënshtruar?! Selam dhe të dobët?! Selam dhe varfanjakë?! Selam dhe jashtë orbitës?! Selam dhe mungesë disipline?! Selam dhe..?! Jo, ky selam është i mangët..!
Pyete veten tënde dhe thuaj: A mundem unë të jem vëlla i tij (a.s)? Shih bri tij, Hz. Ebu Bekrin (r.a) dhe bëhu besnik, si ai, mos lejo që askush në botë të të imponohet me paragjykimin e tij, me cytjen dhe fjalën e keqe, qëndro! Mos u tundo para asgjëje dhe askujt në rrugën tënde të besimit dhe Islamit! Fitoje vëllazërinë e shenjtë me Resulull-llahun (a.s) nëpërmjet shembullit të Hz. Ebu Bekrit, që nuk i dhimbsej as pasuria, as jeta, asgjë prej gjëje, për fenë tij, për Pejgamberin e tij…
Aty bri tij qëndron edhe Hz. Omeri (r.a). Dëshiron ta meritosh dëshminë e asaj vëllazërie? Bëhu qëndrestar në fenë tënde, si H.z Omeri! Mos u luhat në fenë tënde, mos u dobëso, kujto momentin, kur Hz. Omeri theu heshtjen e frikës, aty para Qabes, kur doli me kalin e tij duke thirrur me të madhe se ai po emigronte në rrugën e Islamit, në rrugën e All-llahut, në dashninë e Muhammedit (a.s)… Kujtojeni dhe pyeteni veten nëse mund të jeni VËLLA, në shembullin e Hz. Omerit!
A mund të jesh si ai zotëri i nderuar, varrin e të cilit e vizitova teksa hyja në Bakia; një varr i thjeshtë, paksa i veçuar… Një burrë i urtë, që dha shpirt duke lexuar Kur’an… A mund të jesh VËLLA, duke e lexuar Kur’anin? (Ne në fakt as që e lexojmë Kur’anin..!?) A mundesh me ndjekë shembullin e Hz. Osmanit në marrëdhënie me Kur’anin?
Po, a mund të jesh ai djali i ri, besnik dhe i fisëm, që nuk e pyeti asnjëherë Pejgamberin (a.s) për çdo gjë që kërkoi prej tij, edhe ditën e Hixhretit të madh, kur, i shtrirë në shtratin e të Dërguarit, mund edhe të vritej; Hz. Aliu? A mund të jesh VËLLA në shembullin e Hz. Aliut?
Po a mund të jesh në shembullin e plakut të urtë Ebu Ejjub El-Ensari, që nuk e ndaloi mosha e thyer për t’u rreshtuar në krahët e ushtrisë islame, në rrugën drejt çlirimit të Kostandinopojës, ndonëse triumfi i saj ishte përcaktuar të ndodhte shekuj më pas..?
A mundesh me e marrë një hadith dhe, në marrëdhënie me të, të angazhohesh të jesh në shembullin e Ebu Ejjubit?
A mundemi realisht të jemi VËLLEZËRIT e tij (a.s)? Nëse e duam këtë, duhet të ndryshojmë mendësi në marrëdhëniet tona me fenë dhe vetë jetën!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 22 prill 2016
(nga hytbeja e xhumasë sot, në xhaminë e “Dy Vajzave”)