Ditën e martë, më 26 prill 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga stafi i Myftinisë Shkodër, ka inspektuar punimet që po kryhen në vakëfin e fshatit Kullaj, në prag të përfundimit të xhamisë së re, që pritet të inaugurohet në prag të ramazanit të sivjetshëm.
Myftiu dhe stafi i tij, panë nga afër rezultatin e punimeve dhe nivelin e tyre, ku vihet re se xhamia e fshatit Kullaj po kthehet në një kala të vërtetë besimi për zonën e Postribës.
Xhamia e re dhe anekset e saj kanë krijuar një kompleks të mrekullueshëm besimi, ku do të ketë ambiente parkimi, lulishte, vendpushim për vizitorët, pa përmendur klasat, abdeshanen e re, për burra dhe për gra, vendin e faljes, si dhe arkitekturën, që e bën këtë xhami për t’u treguar me gisht në këtë zonë.
Myftiu ka falënderuar të angazhuarit me punimet e xhamisë së re, sikurse ka shprehur mirënjohjen e tij dhe falënderimet për Fondacionin “Mirësia” për mbështetjen e këtij projekti bashkëkohor dhe shumë të domosdoshëm për muslimanët e fshatit Kullaj dhe përtej tij.
Xhamia e re në Kullaj është pjesë e bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me Fondacionin “Mirësia” me qendër në Tiranë.