Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra, besimtarë të pranishëm,
Bashkëqytetarë të dashur, që së bashku me ne gëzoni dhe respektoni besimin në Një Zot, që është tabani i këtij qyteti dhe i qytetarisë së banorëve të tij, pa dallim!
Gëzuar dhe për shumë vjet Fitër Bajramin e sivjetshëm, këtë Ditë të dëshmuar të besimit dhe shpërblimit, që pason një Muaj, sa një jetë, mbushur me adhurim e përkushtim ndaj Zotit dhe ndaj njeriut, si krijesa më e dashur e Tij!
Gëzuar ju muslimanë të Shkodrës, që edhe pse jua lënduan Ramazanin e këtij viti, si një njollë e pashembullt në historinë e kohëve të reja; që edhe pse jua lënduan këtë Ditë të dëshmuar Feste kombëtare, përveçse Festa e pjesës dërrmuese e kombit shqiptar; Ju e dëshmuat veten si besimtarë dhe njerëz të përkushtuar ndaj Zotit, sfidues në heshtje të kësaj situate jashtë vullnetit dhe mundësisë sonë për ta ndryshuar, veçse me dënimin publik të saj!
Të dashur dhe të nderuar vëllezërit e mi, ju nana e motra të përkushtuara,
Kam qenë në dilemë se cili do të ishte mesazhi që do ndaja sot, në këtë tubim të mrekullueshëm vëllazërie dhe harmonie islame dhe kombëtare, kur teksa po lexoja Kur’an në suren Junus, dy ajete më bënë të mendoj shumë rreth kësaj mirësie, me të cilën është begatuar jeta e jonë; mirësi që tejkalon çdo situatë kaotike, shqetësuese, çdo përpjekje për ta vënë në dyshim muslimanin e sotëm në raport me fenë e tij, çdo tentativë dhe përpjekje e dështuar për të thyer dhe nënçmuar, shkelur e dhunuar muslimanin e sotëm shqiptar e atë botëror dhe të drejtat e tyre legjitime!
Dy ajete, sa një mal me këshilla, dy ajete që vetëm se e forcojnë muslimanin dhe e bëjnë të ndjehet krenar dhe plot dinjitet me përkatësinë e tij fetare:
“O ju njerëz, juve ju erdhi një Këshillë nga Zoti juaj (Kur’ani) dhe Shërim i asaj që gjendet në kraharorët tuaj, Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët! Thuaj: Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme sesa ajo që grumbullojnë!”
Pra, Krijuesi i gjithësisë lajmëron krejt njerëzinë për këtë Kur’an që është bekimi më i madh për njerëzimin, përmbajtja e të cilit është alternativë garante, për të shpëtuar nga lëngatat e shumta, sidomos ato të sotmet, që e kanë sfilitur njerëzimin në vorbullat e ateizmit, ekstremizmit politik, sekteve djallëzore, thirrjeve për zhveshje nga morali dhe ndjenja e turpit, thirrjeve shterpë drejt barazisë gjinore, që kanë për qëllim keqpërdorimin e rolit elitar dhe të pazëvendësueshëm të femrës në shoqëri, fushatave të herëpashershme drejt afetarizmit, mohimit të Zotit dhe formave përçudnuese të Njësimit të Tij, por jo vetëm!
All-llahu Mëshirëplotë na fton drejt këtij Kur’an, Natën e shpalljes se të cilit e bëri më të mirë sesa një jetë me adhurim e përkushtim; Natën e Kadrit, në Muajin e shpalljes së tij, të cilin na e obligoi ta agjërojmë, që të kthehemi nga Kur’ani dhe bota e tij udhëzuese!
“Këshillë, Shërim, Udhëzim, Mëshirë… All-llahu e përshkroi këtë Libër si Këshillë dhe Shërim për zemrat, Udhëzim për mendjet dhe Mëshirë për krejt qenien njerëzore!”
Prandaj: “Thuaj: Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen..!”
Ky është gëzim legjitim, ky është Bajram i zemrave dhe mendjeve që kërkojnë të vërtetën larg rutinës së pazareve me fenë, larg abuzimit me mendjen dhe zemrën, nga keqleximi dhe keqprezantimi i mësimeve të fesë, larg injorancës në raport me fenë, larg instrumentalizimit të fesë, si të ishte ideologji klanesh e politikash, që mbajnë si dy paterica të kalbura, trupa të gangrenizuar që mbjellin indiferentizmin ndaj udhëzimit hyjnor, pajtimin me çdo situatë, heshtjen përballë të keqes, zhveshjen nga krenaria shekullore, sektarizimin dhe ndarjen nga tërësia e ymmetit dhe domosdoshmëria e rizgjimit të madh, për të dëshmuar bota sërish përhapjen dhe mbizotërimin e kësaj thirrjeje hyjnore: “O ju njerëz, juve ju erdhi një Këshillë nga Zoti juaj (Kur’ani) dhe Shërim i asaj që gjendet në kraharorët tuaj, Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët!”
Prandaj, sot më shumë se asnjë ditë tjetër e kemi hak të gëzohemi me begatitë dhe mirësitë e Zotit tonë; të ndajmë me këdo ndryshe nga ne, këtë gëzim të pashoq, shpresëdhënës e plot bekim për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e njerëzimit!
Prandaj sot, në heshtjen e reflektimit, pyeteni veten: “Më thuaj çfarë të gëzon, të të them se kush je!”
Të gëzon harami, korrupsioni, përçarja, nxitja e konfliktit, prishja e harmonisë dhe paqes, ekstremizmi në të menduar e në të vepruar, izolimi, heshtja vrastare, indiferenca ndaj prishjes së shoqërisë, varfëria dhe skamja, shitja e ujit të fytyrës dhe përdorimi i fesë për egon personale, mbizotërimi i anarshisë, zhvatja e asaj çfarë s’të përket, legalizimi mbi pronën e tjetrit, edhe me “bekimet” e ligjeve denigruese të pasurisë dhe të drejtave legjitime, pretendimi i asaj që s’është e jotja, duke u viktimizuar?
Nëse po, lutju Zotit të të shërojë sepse ti vuan nga një, a disa sëmundje të rrezikshme, që mund të dëmtojnë më shumë se kolera, jo vetëm ty, por krejt shoqërinë!
Të gëzon hallalli, adhurimi, qetësia dhe harmonia komunitare, punon për paqen dhe përhapjen e vlerave, fal dhe mëshiron, flen i qetë pa pasur inate dhe smirë në zemër ndaj askujt prej krijesave të Zotit, kontribuon për dijen dhe shkollimin e fëmijëve të tu, jep nga ajo që të ka dhënë Zoti, shtrin dorën e bashkëpunimit në drejtim të ruajtes së paqes sociale, mbron me krenari të drejtat dhe trashëgiminë tënde, ruan familjen dhe nderin tënd, nuk lejon cënimin e moralit dhe turpit, punon dhe lutesh për vendin dhe tokën tënde, të qan zemra për hallet e ymmetit tënd dhe përgjërohesh në sexhde, për bashkimin dhe forcimin e muslimanëve në botë?
Thuaj: Elhamdulilah me të madhe dhe gëzo me mirësitë dhe bekimet e Zotit tënd; shembulli yt nuk vdes me largimin tënd nga kjo botë! Gjurma jote nuk shuhet nga vdekja! Ti je bekim dhe mirësi për familjen, për kombin, për qytetin, për Paqen, për humanizmin, për të sotmen dhe të ardhmen!
Të dashurit e mi,
Kur Hz. Muhammedi (a.s) tha: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”, sahabët e morën amanetin dhe e përhapën kudo, nga lindja në perëndim!
Sot, Kur’ani Famëlartë është amanet i mbarë ymmetit; mos ta lëmë pas dore, mos të pluhuroset, mos të bëhet i huaj në mesin tonë, mos të tjetërsohemi me Kur’anin në mes nesh, mos t’ia kthejmë shpinën Këshillës, Shërimit, Udhëzimit dhe Mëshirës, për joshjet jetëshkurtra të kësaj bote kalimtare dhe shërbyesve të saj!
Ne jemi bij shqiponjash dhe shqiponjat e ruajnë besën, sado larg të fluturojnë, kudo që të jenë, sido që t’ju vijë jeta, me çfarëdo sprovash që të përballen! Shqiponjat janë krenare! Çerdhja e jonë është Islami, ushqimi i krenarisë sonë shiprtërore dhe dinjitetit njerëzor është Kur’ani, shembulli i besës sonë, urtisë, paqes e tolerancës genetike është Hz. Muhammedi (a.s)! Dhe, për këtë, le të gëzojmë pa ja ndâ!
All-llahu ju dashtë e ju begatoftë! E ruajtë Shkodrën, Shqipërinë, ymmetin islam dhe mbarë njerëzimin nga kushdo që s’ia do të mirën! E bekoftë harmoninë tonë kombëtare dhe na forcoftë në këtë fé të pastër islame, me të cilën na nxori nga errësira në dritë, nga injoranca në dije, nga primitivizmi në qytetari e qytetërim, nga fanatizmi i verbër në tolerancë legjitime!
Gëzuar Fitër Bajramin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Mesazhi i Fitër Bajramit në sheshin e Namazgjasë, te vakëfi i Fushë Çelës,
bri xhamisë “Ebu Bekër”, ditën e dielë, më 25 qershor 2017,
para faljes së Namazit të Fitër Bajramit)