Mbrëmjen e së enjtes, më 16 nëntor 2017, Myftinia Shkodër organizoi nje aktivitet përkujtimor, me rastin e ditës historike të 16 nëntorit 1990, kur tek Xhamia e Plumbit, qytetarët e Shkodrës, u tubuan bashkarisht për të mundur frikën dhe diktaturën komuniste, që për 23 vjet me radhë kishte ndaluar me ligj krejt aktivitetin fetar në vend.
Aktiviteti përkujtimor, që sivjet u zhvillua në xhaminë e Tophanës, kishte në qendër të vëmendjes vlerësimin e kësaj date nëpërmjet dëshmive të protagonistëve të saj.
Me shumë vëmendje dhe emocion, të pranishmit ndoqën dëshmitë e të nderuarve, H. Xhelal Sokoli dhe H. Mithat Myftija, të cilët hodhën dritë rreth detajeve të spikatura të atyre ditëve.
Gjatë fjalës së tij, H. Xhelal Sokoli, me gjithë moshën e thyer, tregoi për emocionet e mëdha, sidomos kur në horizontet e masës së panumërt u shfaq Hafiz Sabri Koçi, i veshur Hoxhë, si dhe momenti kur H. Vehbi Dani këndoi ezanin e xhumasë.
Ndërsa H. Mithat Myftija, përtej dëshmive të tij solli në vëmendje realitetin e hidhur të Xhamisë së Plumbit, që megjithëse ëshë monument kulture i klasit të parë, mbetet në gjendje të mjerë.
Aktiviteti mblodhi besimtarë të xhamive, nxënës të Medresesë, imamë të xhamive dhe protagonistë të ditëve të para të rimëkëmbjes, pas një persekutimi të pashembullt.
Më herët, aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që dha edhe mesazhin e tij me këtë rast.