Mesazhi i Myftiut të Shkodrës në 27 vjetorin e rilejimit të fesë

Të nderuar të pranishëm,

Sa herë vjen data 16 nëntor, ne si bashkësi fetare, përfshihemi në emocione që na lidhin me një ngjarje të shënuar, ndër më të spikaturat e shekullit për ne dhe mbarë kombin tonë!

Një ngjarje që lidhet me kujtimin e së shkuarës jo fort të largët, gati-gati të pabesueshme, të imponimit me dhunë të ateizmit, si dhe kujtimin e së shkuarës 27 vjeçare, gati-gati në kufijtë e së shenjtës, kur Drita e Udhëzimit triumfoi mbi errësirën e femohimit dhe afetarizmit.

Sot, teksa besojmë të lirë dhe praktikojmë të pacënuar ritualet e fesë dhe besimit tonë, kuptojmë se sa e rëndësishme është në një shoqëri dhe për të, respektimi dhe mbrojtja e fesë dhe besimit, sepse ato qëndrojnë në themelet e zhvillimit dhe përparimit kombëtar e njerëzor!

I rikthehem herë pas here fjalimit historik të Hafiz Sabri Koçit, të xhumanë e shtrenjtë të 16 nëntorit 1990. Përherë, impulse pozitive që të shtyjnë përpara gjej në atë jehonë shpirti të një fetari të ditur, që ishte sprovuar e dhunuar për fenë e tij, sa veç Zoti e di!

Atë ditë, ai ishte modeli i prijësit islam e kombëtar, në një moment në kufijtë e delirit, por që gjithësesi, mbeti dëshmi e këtij Islami të pastër, që trashëgojmë nga burimet e kulluara të Fesë sonë; Islam i së ardhmes, faljes, vëllazërisë, harmonisë ndërnjerëzore, ngritjes pas pabesisë, aftësisë për të mbledhur forcat drejt rizgjimit dhe rimëkëmbjes, me bekimet dhe mbarësinë e Zotit!

Shoqëria e jonë shqiptare sot, e ka të domosdoshme të hedhë vështrimet nga ajo që na kalpoi si komb dhe e sotmja. Secili prej nesh e ka për detyrë fetare dhe kombëtare të bëjë më të mirën për t’u kthyer nga Zoti, nga besimi dhe organizimi i jetës mbi atë që na frymëzon ndjenja e besimit, dashnisë dhe frikës së Zotit në jetë.

Fenomene të frikshme që lidhen me botën e femohimit, shthurrjes e degradimit moral, politik, ekonomik e që ndikojnë në thelb të avenirit të shoqërisë, e kemi për detyrë t’i shohim ballë për ballë, në rrugëtimet tona drejt ndërtimit të vlerave dhe distancimit nga ekstremizmi, dhuna, terrori, shkelja e të drejtave dhe mosrespketimi i tyre, korrupsioni dhe veset, përhapja e afetarizmit dhe e rrugëve që shpien drejt tij.

Si sot, para 27 vjetësh, Hafiz Sabri Koçi, dëshmonte: “Iu hapën portat zemrave, që të njohin, të dashurojnë, të respektojnë më të Afërmin e tyre, i Cili është më afër te njeriu sesa ai te vetvetja: Zotin! Lavdi të Madhit Zot, që e ruajti dashurinë e Tij në zemrat tona e nuk na përbuzi… aq më tepër në zemrat e kësaj rinie që sapo del në jetë pa qenë në kontakt me asgjë, ia ndezi dritën e dashurisë së Tij në zemër e në shpirt!”

Pikërisht për këtë bekim kemi nevojë akoma sot, që rinia shqiptare dhe mbarë njerëzimi, të kthehen nga dyert e pendimit, faljes, mëshirës e paqes së brendshme me Zotin e gjithësisë!

All-llahu e begatoftë rininë e Shkodrës, rininë shqiptare dhe mbarë njerëzimin, me Dritën e dashnisë së Tij!

Rahmet pastë Hafiz Sabri Koçi dhe krejt ata burra të urtë e të guximshëm që u mblodhën përreth tij, në një rrugë të gjatë e plot vështirësi, që pat si kredo Besimin në Një Zot dhe mbështetjen në Premtimin e Tij: “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj bote dhe në ditën e prezantimit të dëshmive!” – (Kur’ani, Gafir: 51)

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 16 nëntor 2017