Ditën e xhuma, më 8 dhjetor 2017, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë e hedhjes së gurthemelit për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen Draçin.
Xhamia e re do të ndërtohet në të njëjtin vend, ku ndodhej edhe para se të prishej nga regjimi komunist.
Ceremonia u përshëndet nga Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili tha se ky gurthemel është një amanet i shenjtë që na lidh me të shkuarën e atyre burrave të mirë, që dhuruan toka e pasuri për të mirën e fesë dhe besimit.
Myftiu tha se tashmë, me mbarësinë e All-llahut, 50 vite pas mungesës së xhamisë në këtë vend, banorët e lagjes muslimane Draçin do të kenë mundësi të dëgjojnë ezanin e munguar dhe të kenë edhe ata xhaminë e tyre.
Ceremonia u përshëndet edhe nga Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, i cili u bë shkak për tërheqjen e fondit nga Kuvajti për ndërtimin e xhamisë së re.
Z. Kaja theksoi se bashkëpunimi me Myftininë e Shkodrës është i kahershëm dhe tashmë falë komunikimeve të vazhdueshme, do të ndërtohet edhe kjo faltore e re.
Ai theksoi se burimi i këtij fondi është nga Kuvajti, ku një grup besimtarësh vendosën së bashku në një ditë të vetme Ramazani, të mbledhin një fond për një xhami, diku në botë.
Pas hedhjes së gurthemelit, të pranishmit u bashkuan në faljen e xhumasë kushtuar Kudsit Sherifë.