Ditën e shtunë, më 6 janar 2018, pas namazit të mesditës në xhaminë e Parrucës nisi cikli i ri i mexhliseve të leximit të hadithit.
Sikurse është lajmëruar më parë, këto mexhlise bazohen në leximin dhe komentimin e pesë haditheve të përzgjedhura nga teologu Gilman Kazazi dhe të botuara nga Myftinia Shkodër në broshurën me titull: “Zekati i diturisë”.
Në fillim të leximit të haditheve, në fjalën e tij të hapjes, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vlerësoi këtë iniciativë të re të tubimit për leximim dhe komentimin e haditheve, duke theksuar se ndjekja e gjurmëve të Hz. Muhammedit (a.s) është dëshmi e dashurisë dhe afrimit me All-llahun e Madhëruar.
Më pas, teologu Gilman Kazazi, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, shpjegoi fillimisht kuptimet e zekatit, llojet e tij dhe domethënien e titullit të broshurës me këto hadithe.
Ai lexoi dhe komentoi pesë hadithet, në përbërjen e të cilëve ndodhen 34 porosi me shumë dobi për krejt besimtarët.
Për krejt të pranishmit u shpërnda edhe broshura e përgatitur me këtë rast.
Ky cikël i dobishëm do të vijojë sipas programit të afishuar edhe më parë, edhe në xhamitë e zonave të ndryshme të qytetit dhe fshatit.