Paraditën e së hënës, më 15 janar 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt një grup familjarësh të Hoxhës shkodran me famë botërore, dijetarit H. Vehbi S. Gavoçi, të cilët jetojnë dhe punojnë në Damask të Sirisë, vendi ku familja Gavoçi emigroi, që në ditët e para të qeverisjes së Mbretit Zog.
Në krye të herës, Myftiu falënderoi vizitorët e shtrenjtë për këtë vizitë të mbushur me bukurinë e kujtimit të Hoxhës, sikurse i uroi atyre mirëseardhjen në Shkodër, në vendlindjen e të parëve të tyre.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit sollën në vëmendje kontributin e madh që ka dhënë H. Vehbi S. Gavoçi në rimëkëmbjen e jetës fetare islame në Shkodër e Shqipëri, pas rënies së diktaturës komuniste e deri më sot, me librat e shumtë të botuar, me ndërtimin e xhamive, me ndihmesën e familjeve në skamje, si dh nëpërmjet studentëve të shumtë të shkencave të Thirrjes Islame.
Myftiu theksoi, se emri i Hoxhës shkodran, H. Vehbi Sulejman Gavoçi është një emër nderi dhe fisnikërie në literaturën elitare shkencore islame, si dhe gjurmët e lëna prej tij mbeten përherë një pikë referimi në mbrojtjen e trashëgimisë islame nga bidatet e reja të devijuara, sidomos në akide, fikh, por jo vetëm.
Myftiu foli edhe për projektin e ri të ribotimit të veprës së H. Vehbi Gavoçit, si një taban i literaturës islame të garantuar, në gjuhën shqipe.
Njëkohësisht i vuri në dijeni familjarët e Hoxhës rahmetli, për aktivitetin islam në Shkodër, vështirësitë, sfidat dhe vullnetin e madh të krejt stafit të imamëve, thirrësve dhe aktivistëve islamë në vend për t’i shërbyer kësaj feje të madhnueshme islame.