Konkurs fetar në kuadër të Mevludi Sherifit 1448 në xhaminë e Tophanës

Konkurs fetar në kuadër të Mevludi Sherifit 1448 në xhaminë e Tophanës

Konkurs fetar në kuadër të Mevludi Sherifit 1448 në xhaminë e Tophanës

Në kuadër të aktiviteteve të Mevludi Sherift 1448, paraditën e të shtunës, më 26 shtator 2026 në xhaminë e Tophanës u zhvillua një aktivitet i veçantë edukativ dhe kulturor, organizuar nga sektori i Arsimit pranë Myftinisë Shkodër, me pjesëmarrjen e nxënësve të mejtepeve/kurseve fetare të xhamisë së Tophanës dhe xhamisë së lagjes Xhaferaj.

Aktiviteti nisi me një program artistik të përgatitur nga fëmijët, të cilët sollën momente të bukura me recitime dhe interpretime kushtuar vlerave të besimit dhe dashurisë për Pejgamberin Muhammed (a.s).

Më pas u zhvillua Konkursi Fetar, ku fëmijët u përballën me pyetje dhe tema të ndryshme nga jeta e ndritur e të Dërguarit të Allahut (a.s).

Konkursi i drejtuar nga drejtuesi i arsimit pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni krijoi një atmosferë të bukur edukative, por edhe të gëzueshme, duke nxitur tek fëmijët dashurinë për dijen, garën  dhe përkushtimin ndaj mësimit.

Ndërkaq, teologu Halluni përpara zhvillimit të konkursit në fjalën tij përshëndeti fëmijët, mësuesen e përkushtuar e të dyja mejtepeve, znj. Suada Gërdeci, prindërit e pranishëm, etj, duke shprehur vlerësime të veçanta për punën dhe angazhimin e përbashkët në edukimin fetar të brezit të ri.

Në përfundim të konkursit, fëmijëve iu dorëzuan çmime dhe dhurata, si vlerësim për përkushtimin dhe pjesëmarrjen e tyre.

Aktiviteti u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore me një koktej, ku fëmijët, mësueset, prindërit dhe të pranishmit ndanë së bashku gëzimin e kësaj dite të veçantë, pikërisht dashninë ndaj Resulullahut Hz. Muhammedit (a.s).