Ceremonia e Mevludit Sherif në xhaminë e fshatit Barbullush

Ceremonia e Mevludit Sherif në xhaminë e fshatit Barbullush

Ceremonia e Mevludit Sherif në xhaminë e fshatit Barbullush

Paraditën e së dielës, më 27 shtator 2026, Myftinia Shkodër zhvilloi një aktivitet të larmishëm me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s) në xhaminë e fshatit Barbullush.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili në fjalën e rastit, foli mbi rëndësinë që ka praktikimi i traditave të Hz. Muhammedit (a.s) në jetën e përditshme. Ai e ftoi rininë e shumtë të pranishme në xhami drejt zbukurimit me cilësitë dhe moralin e të Dërguarit të Allahut, si dhe dëshmimin e vlerave islame në çdo frymë dhe me çdo njeri.

Myftiu vuri theksin te pastrimi i zemrës dhe zbukurimi i saj me virtytet e Hz. Muhammedit (a.s), dhe pastrimi i shoqërisë nga hileja, mashtrimi, gënjeshtra dhe syfaqësia.

Një ligjëratë me vlerë mbajti edhe imami i xhamisë së fshatit Barbullush, H. Ervis Molla. Në mesazhin e tij, imami i nderuar hodhi dritë rreth disa prej cilësive më të spikatura të Hz. Muhammedit (a.s), të përmendura në Kur’anin Famëlartë, dhe i ftoi besimtarët që këto cilësi të jenë pikë referimi për gjithsecilin prej tyre në jetë.

Aktiviteti vazhdoi me një program të pasur me ilahi, salavate, pjesë nga “Mevludi” dhe lutje.

Në përfundim të këtij aktiviteti, të pranishmit falën së bashku edhe namazin e mesditës me xhemat dhe u ndanë me lutje e përshëndetje të përzemërta me njëri-tjetrin.