Mbrëmjen e së shtunës, më 17 mars 2018, me ftesë të Forumit të Rinjve Muslimanë në Vjenë të Austrisë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi para të pranishëmve të shumtë, mbi familjen dhe vlerat e saj në Kur’an dhe Traditat e Hz. Muhammedit (a.s).
Sipas faqes zyrtare të FRM, Vjenë, mësojmë se, “më 17 mars 2018, Forumi i të Rinjve Muslimanë – Dega Vjenë, organizoi me sukses tribunën islame me mysafir Myftiun e Shkodrës, Muhamed ef. Sytari që u paraqit para masës me ligjëratën: “Resulullahu si model i familjes myslimane”.
Programin e begatë e pasuroi fjala përshëndetëse e nikoqirit, Drejtorit të Përgjithshëm të FRM, Mr. Amet Memeti dhe ajo e kryetarit të Bashkësisë Islame të Austrisë, z. Ibrahim Olgun.
Programin e udhëhequr nga Evzal Sinani e freskoi me lexim Kur’ani dhe ilahi, lexuesi i mirënjohur i Kur’anit, Zekirja ef. Kurtishi.
Befasia e natës ishte grupi i ilahistëve të vegjël “Nur” të përgatitur nga Mr. Ilire Halimi Poniku.
Para se të përfundohet programi me lexim Kur’ani u lexua një monolog nga hfz. Evzal Sinani, disa fjalë të Omerit (r.a.) që i ka thënë për hir të Muhammedit (a.s.) kur ka parë trupin e tij të bekuar pasi ka ndërruar jetë.
Manifestimi u vlerësua lart nga të gjithë të pranishmit dhe la mbresa të mëdha dhe të thella te të gjithë mysafirët prezentë.
Ne, si grup organizativ i FRM-Vjenë, falënderojmë dhe çmojmë lart ardhjen e Myftiut të nderuar Muhamed Sytari dhe ef. Zekirja Kurtishit në Vjenë dhe falënderojmë gjithë pjesëmarrësit dhe ndjekësit e tribunës, me shpresë që ky organizim do jetë një pikë e vogël në detin e madh të davetit.”
Të pranishëm në këtë mbrëmje të shënuar me vlera islame dhe kombëtare ishin imamë dhe prijës të ndryshëm të qendrave islame të Vjenës, mësues të lëndëve fetare në shkollat e Austrisë, të ardhur nga Zvicra etj.
Feja islame në Austri, njihet zyrtarisht me kushtetutë, që nga viti 1912, ndërsa mësimi i lëndës së fesë në shkollat e krejt vendit ka nisur që në vitin 1973.
Ndërkohë, ditën e dielë, më 18 mars 2018, me ftesë të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Austrisë, H. Ibrahim Olgun, Myftiu i Shkodrës, i shoqëruar edhe nga Kryetari i FRM, Vjenë, z. Lutfi Xhemaili, ka zhvilluar një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror me drejtuesin e institucionit më të lartë islam të Austrisë.