Paraditën e së hënës, më 19 mars 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, inspektoi në terren gjendjen aktuale të Xhamisë së Plumbit, e cila ndodhet nën ujë, si pasojë e përmbytjeve të javëve dhe ditëve të fundit.
Për mikrofonin e Tv1 Channel, Myftiu përsëriti se, tashmë nuk bëhet fjalë thjeshtë për një objekt adhurimi të përmbytur, por për njerëzit e rrezikuar në zonat, ku përmbytjet e ditëve të fundit po marrin masa të frikshme, që na kujtojnë vitin 2010.
Myftiu tha se, shpresa në qeverinë turke dhe institucionet e saj është e madhe, në lidhje me ndërhyrjen që mund ta shpëtojë këtë xhami shekullore, monument kulture.
Përtej kësaj, Myftiu bëri thirrje për më shumë përgjegjësi nga qeveria dhe institucionet, në lidhje me situatën emergjente të përmbytjes së këtyre ditëve, që nuk është e re në Shkodër.
Ai tha se, nuk është koha e retorikave boshe, por e bashkëpunimit në shërbim të jetës dhe mirëqenies së njerëzve.