Pasdrekën e së shtunës, më 31 mars 2018, me ftesë të Shoqatës “Ardhmëria”, dega Postribë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi para një grupi të rinjsh rreth vlerave dhe rëndësisë së forcimit të besimit në jetë.
Ndër të tjera, Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së ekuilibrave në jetë, duke nxjerrë në pah madhështinë e fesë islame në veprat konkrete, sidomos në marrëdhënie me familjen, rrethin familjar dhe shoqërinë.
Imam Muhamed B. Sytari theksoi se, realiteteve shqiptare i mungon Islami i pastër, i personifikuar në sjelljen, urtësinë, largpamësinë dhe praninë e muslimanëve, që janë garanci për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Ai tha se, përtej propagandave që po mundohen ditë pas dite të mbjellin farën e imoralitetit dhe shthurrjes, në emër të lirive individuale dhe distancimit nga e kaluara e errët, akoma ka shpresë për këtë vend me taban islam dhe me një trashëgimi shumëshekullore rrezatimi dritë e qytetërim për mbarë botën, përfshi edhe Evropën!
Myftiu tha se, muslimani është njeri i fortë, krenar, i pastër dhe plot dinjitet, që nuk mund të pajtohet me drogën, alkoolin, kumarin, imoralitetin, injorancën e devijimet nga natyra në të cilën e ka krijuar Zoti!
Përgjatë ligjëratës së tij, Myftiu u ndal në disa stacione të rëndësishme, që lidhen me forcimin e marrëdhënies me historinë e shkuar të krenarisë, me forcimin e vetëdijes islame dhe rrezatimit të këtij besimi dhe cilësive të tij në shoqëri.
Njëkohësisht, Myftiu falënderoi drejtuesin e degës së Shoqatës “Ardhmëri”, Postribë, z. Eshref Sykaj, për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të komunitetit dhe rinisë.