Mbrëmjen e së xhumasë, më 11 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në studion e Tv1 Channel për të folur mbi atmosferën dhe vlerat e Muajit Ramazan.
Myftiu tha se agjërimi i Muajit të begatë është një mundësi e madhe për të jetuar me besimin dhe përkushtimin në jetën e lirë, në marrëdhanien e përditshme me njerëzit, duke u përpjekur maksimalisht për të ruajtur ekuilibrat e besimit dhe dritën e tij.
Ai tha se Muaji Ramazan i ngjan një miku të madh që po vjen si dhuratë begatuese nga ana e Krijuesit të gjithësisë, “që do të thotë se besimtari është i ftuar për t’u përgatitur për Muajin e Madhnueshën të Ramazanit. Siç pastron shtëpinë me pastru zemrën, siç pastron orenditë me pastru gjuhën, siç pastron objektet e ndryshme me pastru shikimin, dëgjimin, moralin, sjelljen, korrektësinë në marrëdhanie me detajet kryesore të besimit. Unë mendoj se mënyra më e mirë për ta pritur Ramazanin është me u pendu para duarve të Zotit të gjithësisë…”
Myftiu foli edhe për atmosferën e begatë të këtij Muaji në Shkodër, ku përmendi përgatitjet që po bën Myftinia Shkodër për ta afruar shpirtin e këtij Muaji me besimtarët dhe qytetarët, në mënyrë që hyrja e Hënës së re të Ramazanit 1439 t’i gjejë njerëzit te gatshëm e të përmalluar.
Myftiu i bëri thirrje dhe ftesë tregtarëve, biznesmenëve që ta shfrytëzojnë Muajin Ramazan për të dëshmuar solidaritetin me njerëzit në nevojë, duke ulur çmimet, duke falur borxhet, duke ndihmuar e duke përhapur shpresë dhe mirësi në shoqëri.