Prej specifikave të Muajit të Begatë të Ramazanit është edhe namazi i teravisë. Ky namaz falet vetëm gjatë netëve të Ramazanit, menjëherë pas namazit të jacisë. Namazi i teravisë është prej syneteve të forta e të vërtetuara që në jetë të Hz. Muhammedit (a.s). Namazi i teravisë falet me xhemat, ka 20 rekate, të cilat ndahen me pesë selame, pas katër rekatesh, që falen si syneti i iqindisë dhe ai i jacisë.
Namazi i teravisë ka një vlerë të madhe, pasi e ndihmon besimtarin në rrugëtimet e tij për të fituar kënaqësinë e All-llahut të Madhëruar nëpërmjet faljes së namazeve.
Me hyrjen e hënës së re të Muajit Ramazan 1439, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, më 15 maj 2018, nisi edhe falja e teravisë së parë të këtij Muaji.
Nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, uroi besimtarët me rastin e fillimit të Ramazanit të këtij viti, duke u lutur për begati dhe mirësi, si dhe për paqe e mëshirë mbi krejt botrat.
Myftiu tha se ky Muaj na fton drejt përmirësimit të marrëdhënies me Zotin dhe mësimet e Tij, drejt vetëllogaritjes, për të parë secili se ku është në raport me besimin dhe praktikën e tij në jetën e përditshme. Njëkohësisht, ftoi të pranishmit që të shfrytëzojnë kohën për të bërë më të mirën në përvetësimin e kësaj mundësie të madhe, që i jepet besimtarëve një herë në vit, përgjatë krejt këtij Muaji të Begatë.