Pasdrekën e së enjtes, më 17 maj 2018, një grup besimtarësh u nisën për në vendet e shenjta, për kryerjen e Umres në ditët e para të Ramazanit të sivjetshëm.
Natyrisht, Umreja në ditët e Muajit Ramazan ka një vlerë të madhe dhe një shpërblim të veçantë nga All-llahu, për krejt sakrifikuesit që e ndërmarrin këtë udhëtim për kryerjen e adhurimeve të agjërimit, Umres, namazeve, etj., në këtë kohë të begatë në më të mirin vend të botës.
Në përcjellje të besimtarëve dhe familjeve të tyre, ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari me një grup imamësh.
Në fjalën e tij, Myftiu porositi grupin e besimtarëve që ta shfrytëzojnë maksimalisht kohën për të kryer adhurimet dhe lutjet e këtyre ditëve të begata, për të dhënë sadeka e për të mos harruar për ansnjë moment privilegjin e madh që i ka bërë All-llahu i Madhëruar, duke i ftuar në Shtëpinë e Tij, në më të mirin e muajve dhe në një periudhë ku të gjithë kërkojnë mëshirën dhe faljen e Tij.
Myftiu uroi që vëllezërit dhe motrat që nisen sot për të kryer Umren, të kenë një udhëtim të rehatshëm, të shkojnë dhe të kthehen shëndosh e mirë dhe të luten për të gjithë, me shpresën e pranimit nga Zoti Mëshirëbërës!