Nga xhamia e “Dy Vajzave”, të xhumanë e parë të Ramazanit të sivjetshëm, më 18 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari foli mbi rëndësinë e shfrytëzimit të Muajit Ramazan për t’u afruar me All-llahun Fuqiplotë nëpërmjet Fjalës së Tij, Kur’anit.
Myftiu tha se angazhimi për leximin dhe kuptimin e Kur’anit është vepra më e pëlqyer tek All-llahu, sikurse porosit i Dërguari i Tij. Ai vetë ishte reflektuesi më i mirë i tij, saqë Nëna e jonë Aishe e përshkruante me këto fjalë: “Morali i tij ishte Kur’ani!”.
Ai tha se përderisa ky Libër ka mburojë të përhershme hyjnore, ymeti islam duhet të ecë përpara me kurajo dhe dinjitet, duke respektuar thirrjen e Zotit dhe duke iu bindur Atij, pa pasur asnjë mëdyshje në asnjë prej ajeteve dhe konteksteve të tyre!
Njëkohësisht tha se, kohëve të fundit kemi dëgjuar për përpjekje të dështuara që vijnë nga perëndimi për të cunguar Kur’anin dhe për ta djegur atë. Përtej këtij primitivizmi, Myftiu tha se secili duhet të shohë në vetvete se çfarë vendi zë Kur’ani në jetën e tij dhe sa e vlerëson ai Fjalën e All-llahut.
“Kapakët e Kur’anit nuk duhet të na i prekë pluhuri! Nëse kjo ndodh, do të thotë se ne të parët nuk kemi respekt për Fjalën e Zotit!”, tha ndër të tjera Myftiu.
Ai bëri edhe një lutje, ku përmendi edhe plagët e ymetit, sidomos Palestinën martire dhe u lut për një rimëkëmbje të fortë të mbarë ymetit islam.