Pasditen e së mërkurës, më 23 maj 2018, besimtarë të shumtë kishin ardhur për të marrë pjesë në faljen e xhenazes së plakut të mirë e të urtë, H. Xhelal Sokoli, i cili u nda dje nga jeta e kësaj bote.
Ai ishte një ndër nismëtarët e rihapjes së Xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990, si dhe një ndër themeluesit e Bashkësisë Islame Shqiptare, që u ndryshua më vonë duke u zvogëluar e ndryshuar në thelb, në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Në fjalën e rastit, njëri ndër bashkëpunëtorët e tij, H. Fejzi Zaganjori, me shumë emocion mbajti një fjalë të madhe, duke vlerësuar kontributin e H. Xhelal Sokolit dhe bashkëpunëtorëve të tij, si shembull sakrifice dhe besimi në All-llahun e Madhëruar dhe rimëkëmbjen e fesë së Tij në vendin tonë.
Njëkohësisht, shprehu dhembjen e tij për mosshkrimin e historisë së vërtetë të sakrificës së këtyre burrave të urtë dhe largpamës.
Xhenazen e drejtoi Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u lut për rahmetliun dhe ngushëlloi të afërmit dhe besimtarët për ndarjen nga jeta e përkohëshme e të nderuarit H. Xhelal Sokoli.
All-llahu e mëshiroftë dhe e pranoftë në mesin e të përkushtuarve në rrugën e Tij!